Më 10 mars 1996, në pistën e Melbourne, filloi aventura e madhe e Michael Schumacher-it te Ferrari.

Pas një karriere 10-vjeçare te “kokëkuqja”, Schumacher la pas 5 tituj botërorë, 72 fitore dhe 58 Pole Position, duke u bërë piloti më i suksesshëm në historinë e ekipit italian.

Debuti i tij në Melbourne përfundoi me tërheqje në xhiron e 32-të për shkak të një problemi me frenat, por kjo nuk e ndali rrugëtimin e madh që do të vinte më pas. Në Maranello, ai erdhi me numrin 1, që i takonte pas fitimit të titullit të dytë botëror me Benetton-in. Gëzimi i parë te Ferrari erdhi po atë vit në Barcelonë, në një garë nën shi të rrëmbyeshëm.

Karriera e tij me Ferrari përfshiu edhe momente sfidash: përjashtimi nga kampionati në 1997 për incidentin me Jacques Villeneuve në Jerez, përplasja nën shi me Coulthard në Spa 1998, si dhe dështimi i motorit në Suzuka të njëjtin vit. Në 1999, aksidenti në Silverstone shkaktoi thyerjen e tibias dhe peronit, një problem që sipas Stefano Domenicali ishte shkaktuar nga një gabim mekanik.

Nga 2000 deri në 2004, Schumacher dominoi Formulën 1 duke fituar 5 tituj botërorë radhazi, duke arritur rekorde të reja, përfshirë titullin e kampionit me 6 gara përpara përfundimit të sezonit 2002 dhe podiumin në çdo garë të sezonit. Në 12 tetor 2003, ai u bë piloti më i titulluar në histori, duke kaluar Juan Manuel Fangio-n, dhe në 2004 fitoi titullin e pestë radhazi dhe të shtatin në karrierë me 13 fitore nga 18 gara. Megjithatë, ëndrra për titullin e tetë u shua në Suzuka 2006, ku një defekt i motorit të 248 F1 e ndaloi rrugën e tij.

Schumacher pritej të rikthehej për të zëvendësuar Felipe Massa-n në 2009, por një aksident i rëndë me motoçikletë në Cartagena disa muaj më herër e detyroi të mos garonte, pasi dhimbjet e vazhdueshme nuk i lejonin të pilotonte F60-n.

Historia e Schumacher te Ferrari mbetet një nga kapitujt më të shquar të Formula 1, një kombinim triumfesh të jashtëzakonshme, sfidash dhe rekordesh që e bëjnë atë legjendën më të madhe të “Cavallino Rampante”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB