Juventus ka nevojë me çdo kusht për një qendërsulmues, për shënimin e golave, por edhe për të ndihmuar Yildiz në një rendiment më të mirë.

Në muajin janar, Spallettit nuk iu plotësua dëshira për të pasur nën urdhrat e tij një qendërsulmues, por tani ai mund të ketë Dusan Vlahovic që është kthyer të punojë me pjesën tjetër të skuadrës pas më shumë se 3 muajsh jashtë fushave të lojës.

Sulmesi serb në fakt do të jetë në listën e të grumbulluarve në skuadër për sfidën e së shtunës ndaj Udineses e programuar të luhet në orën 20:45. Është ky një rikthim i rëndësishëm për Juventusin në një javë që paralajmërohet të jetë shumë e rëndësishme për Vlahovic, kontrata e të cilit me Zonjën e Vjetër skadon në muajin qershor.

Agjenti i futbollistit, Darko Ristic është në Torino prej ditësh dhe të premten u pa në Allianz Ztadium. Sipas të përditshmes ‘La Stampa’ agjenti i Vlahovic gjatë kësaj jave do të takojë vetë futbollistin dhe më pas drejtuesit e Juventusit në lidhje me tratativat e rinovimit të kontratës. Në krahun tjetër, nuk është se Vlahovic ka zgjedhje të tjera; pista Milan është ftohur dhe nga jashtë nuk kanë ardhur telefonata nga klube të nivelit të lartë.

Mësohet se Juventusi në këto tratativa do t’i ofrojë Vlahovic një kontratë të re me pagë 6 milionë euro plus një shpërblim për firmën. Një shifër kjo që është shumë inferiore nga paga aktuale e tij prej 12 milionë euro, por në një linjë më pagën e re të Yildiz që është rreth 7 milionë euro. Nëse për Vlahovic, Juventusit do t’i duhet të bëjë tratativa, ndryshe është situata për Spallettin që gjatë kësaj jave pritet të hedhë firmën e tij te kontrata e re.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB