“Drejtësi në Nuremberg”/ Shfaqja në Teatrin Kombëtar nxit reflektim për krimet e së kaluarës dhe rreziqet nga konfliktet aktuale

08/03/2026 12:42

Çfarë ndodh kur vrasim në emër të ligjit? “Drejtësi në Nuremberg” që u shfaq premierë në Teatrit Kombëtar nën regjinë e Arben Kumbaros është një dramë e bazuar në një ngjarje historike, por që mbi të gjitha i flet aktualitetit.

 “Nuk e shihni çfarë po ndodh sot në botë?! Ka një rikthim të së djathtës ekstreme të Europë. Ka gjithmonë e më tepër thirrje për luftë, ka konflikte sociale. Unë them se ka shumë momente të ngjashme me historinë e para 50 viteve, ky ka qenë ngacmimi kryesor, për t’i folur realitetit. Ka dhe një reflektim akoma më të thellë për historinë tonë ndaj komunizmit. Asnjëherë nuk kemi qenë të bindur që kemi mbajtur një qëndrim të thellë moral, i jemi borxhlinj këtij populli”, shprehet regjisori Arben Kumbaro.

Qeniet njerëzore përballen në një gjyq me akuza për krime çnjerëzore! Interpretimi i aktorëve Myzafer Zifla, Alfred Trebicka, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Viktor Zhusti, Elia Zaharia, Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Donald Shehu, Ilirda Bejleri etj, bën që kjo dramë e fortë të depërtojë te publiku.

Aktori Donald Shehu thotë: “Është një shfaqje tronditëse, ky ka qenë edhe qëllimi, për t’i bërë thirrje publikut që nuk duhet të kemi më luftra dhe duhet të ecim përpara”.

“Gjithnjë gjendemi në udhëkryqe të tilla ku luftën e kemi shumë prezentë dhe në luftë bëhen shumë masakra, ka vrasje dhe padrejtësi pafund”, shprehet Sokol Angjeli.

Çdo kush që bashkëpunon me krimin është fajtor, por sa të gatshëm jemi për të pranuar të vërtetat e pamohueshme?

“Në një kohë që po jetojmë me aromë baruti, shfaqja është më shumë se aktuale, është një klithmë për të mos bërë dhe për të mos përsëritur ato që kanë ndodhur dhe për të vënë në qendër të vëmendjes qenien njerëzore si gjënë më të shtrenjtë që kemi në botë”, tha aktori dhe njëkohësisht drejtor i Teatrit Kombëtar, Indrit Çobani.

“Si mund të ndihet një njeri kur dënohet me burgim të përjetshëm? Si mund ta perceptojë qenia njerëzore pavarësisht nëse e Meriton, kjo më ka ndihmuar për të bërë atë mea culpa!”, shprehet aktori Alfred Trebicka.

Shfaqja që fton publikun në refleksion rikthehet në Teatrin Kombëtar në datat 12-15 mars.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB