Marcus Thuram gjen më në fund golin me Francën, nuk shënonte me ‘Blutë’ që nga 2023
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, po i jep formë listës së zgjeruar për ndeshjen e play-off-it të Botërorit 2026, që do të luhet më 26 mars në Varshavë kundër Polonisë.
Braziliani ka hartuar një listë prej rreth 50 lojtarësh, nga e cila javën e ardhshme pritet të dërgohen ftesa zyrtare në formën e listës së pritjes. Vetëm 4-5 ditë para ndeshjes do të bëhet publike lista e shkurtër prej 23 lojtarësh që do të udhëtojnë drejt Varshavës.
Gjatë vizitës së fundit në Turqi, Sylvinho, i shoqëruar nga ndihmësi Doriva, ndoqi dy ndeshje të Kupës së Turqisë. Fillimisht vëzhgoi nga tribuna përballjen mes Basaksehir dhe Trabzonsporit, ku Ernest Muçi luajti 90 minutat e plota dhe kontriboi me një asist. Edhe pse nuk shënoi, Muçi ishte aktiv gjatë gjithë kohës dhe portali i specializuar Sofascore e përfshiu në formacionin e javës në kampionatin turk, duke i dhënë notën 7.6. Një ditë më pas, trajneri Sylvinho dhe stafi i tij ndoqën edhe përballjen e Kupës së Turqisë mes Besiktas dhe Çaykur Rizespor, ku Kristjan Asllani u fut në lojë si zëvendësues në minutën e 78-të për Besiktasin, ndërsa Qazim Laçi qëndroi në stol për Rizesporin. Laçi ishte i dëmtuar dhe nuk ishte në gjendje të aktivizohej.
Megjithatë, ndryshe nga vizitat e realizuara te lojtarët shqiptarë në Itali, Sylvinho nuk u takua personalisht me asnjë futbollist gjatë qëndrimit në Turqi. Braziliani u kufizua vetëm në vëzhgim nga tribuna, pa organizuar asnjë takim individual. Po kështu, sulmuesi Rey Manaj, i cili militet në kategorinë e dytë turke, nuk u përfshi fare në agjendat e monitorimit të stafit teknik.
Kontrast i qartë me qasjen ndaj lojtarëve në Itali: Sylvinho ishte i pranishëm në ndeshjen Lazio-Atalanta, ku aktivizohen titullarët e Kombëtares Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj. Gjatë qëndrimit atje, trajneri zhvilloi edhe një takim me kapitenin Berat Gjimshiti, ndërsa në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit priti në vizitë Elseid Hysaj. Gjithashtu, në Portugali, stafi teknik ndoqi sfidën e Europa League Porto-Rangers, për të vlerësuar nga afër paraqitjen e mesfushorit Nedim Bajrami.
Trajneri pritet të bëjë edhe dy afrime të reja në mbrojtje – futbollistin e AEK-ut të Athinës, Stavros Pilios, dhe mbrojtësin e Lechia Gdansk në Poloni, Bujar Pllana, i cili njeh mirë kundërshtarin.
Nëse Shqipëria kalon Poloninë, do të përballet më 31 mars me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi, me shansin për të siguruar biletën e parë historike në Kupën e Botës.
Top Channel