Plagosja me armë në Shkodër/ “Përse më sheh?”, zbardhen dëshmitë e autorit dhe të plagosurit. Si nisi sherri mes tyre

06/03/2026 10:46

Janë zbardhur dëshmitë e dy personave të përfshirë në plagosjen me armë zjarri që ndodhi në Shkodër.

Shtetasi Genc Hoxha, që mbeti i plagosur lehtë në këmbë, dhe personi tjetër Izvin Gucija, i cili dyshohet si autori i plagosjes, kanë dhënë versionet e tyre lidhur me ngjarjen për Policinë Vendore të Shkodrës. Autori i dyshuar, Gucija, ka deklaruar se 45-vjeçari Hoxha ka shkuar në servisin e tij për të riparuar grupin e timonit të automjetit.

Pronari i servisit, që është edhe autori i plagosjes sipas dëshmisë së tij, i ka thënë se nuk kishte grup timoni të ri dhe vetëm një të përdorur.

Pas një bisede, nuk kanë rënë dakord dhe pronari i servisit i ka marrë tarifen, për kontrollin që ka kryer në automjetin e 45-vjeçarit.

Sipas Gucisë, në dalje e sipër shtetasi Genc Hoxha ka krijuar një debat me të duke i thënë “përse më sheh”, si dhe duke e fyer. Pronari i servisit nuk ia ka kthyer, duke ruajtur qetësinë për shkak se ishte agjërueshëm.

Mbrëmjen e djeshme, një ditë pas debatit, shtetasi Genc Hoxha dhe pronari i servisit Izvin Gucija janë takuar sërish vetëm pak metra larg servisit, në një rrugicë.

Po sipas autorit të dyshuar, personi tjetër e ka fyer sërish dhe ka tentuar ta godasë me sende të forta. Në ato momente, Gucija i ka thënë policisë se ka nxjerrë pistoletën duke e plagosur lehtë në këmbë, si vetëmbrojtje, pa pasur qëllim për ta vrarë.

Ndërsa personi i plagosur, Genc Hoxha, ka mohuar se është ai shkaktari i kësaj ngjarjeje, duke thënë se thjesht ishin duke u sqaruar dhe se pronari i servisit ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të tij. 45-vjeçari mohon edhe fyerjet ndaj pronarit të servisit, duke deklaruar se ka pasur një sjellje normale.

Policia e Shkodrës ka gjetur në vendngjarje një gëzhojë që dyshohet se i përket autorit, si dhe ka sekuestruar pistoletën me të cilën ndodhi plagosja, të cilën autori e dorëzoi në momentin kur u arrestua, pak minuta pas ngjarjes, në afërsi të banesës së tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB