Afron Playoffi i Botërorit 2026/Trajneri i Kombëtares, Sylvinho dhe stafi i tij vëzhgojnë futbollistët shqiptarë që luajnë në Turqi
Kupa e Botës 2026 do të shoqërohet me një operacion të madh sigurie në Meksikë.
Autoritetet meksikane planifikojnë të angazhojnë rreth 100 mijë agjentë nga forcat shtetërore dhe sektori privat për të garantuar mbarëvajtjen e turneut që do të organizohet bashkërisht me SHBA-në dhe Kanadanë. Qëllimi i këtij plani është që Meksika të paraqitet para botës si një vend “i besueshëm, i sigurt dhe i organizuar”. Strategjia e sigurisë është detajuar nga gjenerali Ramón Barrios, drejtues i Qendrës së Koordinimit për Botërorin.
Plani parashikon krijimin e tri forcave speciale operative, nga një për secilin qytet pritës në Meksikë: Mexico City, Monterrey dhe Guadalajara. Në këto struktura do të përfshihen rreth 20 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura, kryesisht nga Garda Kombëtare, si edhe 55 mijë agjentë të Sekretarisë së Sigurisë Publike, të cilëve do t’u shtohen edhe forca të sigurisë private.
Operacioni do të mbështetet nga një gamë e gjerë mjetesh. Do të përdoren 2.100 automjete ushtarake dhe 378 automjete civile, të destinuara kryesisht për shoqërimin e krerëve të shteteve dhe delegacioneve sportive. Mbikëqyrja ajrore do të realizohet nga 24 avionë dhe 33 dronë, ndërsa do të vendosen edhe tenda dekontaminimi si dhe 88 qen të trajnuar për zbulimin e eksplozivëve.
Gjatë muajve qershor dhe korrik, kur do të zhvillohet turneu, forcat ushtarake do të koordinojnë trafikun ajror për të krijuar zona të mbikëqyrjes së lirë dhe për të parandaluar ndërhyrje të padëshiruara. Gjenerali Barrios paralajmëroi edhe për përdorimin e dronëve të paautorizuar, duke theksuar se autoritetet do të përdorin sisteme antidronë për të neutralizuar çdo mjet fluturues që nuk është i regjistruar.
Masat e sigurisë do të përfshijnë gjithashtu aeroporte, hotele, qendra stërvitore dhe stadiume. Debati për sigurinë në Meksikë është intensifikuar së fundmi pas valës së dhunës të lidhur me vdekjen e liderit të kartelit Nemesio Oseguera Cervantes nga Cartel Jalisco Nueva Generación. Megjithatë, presidentja Claudia Sheinbaum ka theksuar se vendi mbetet plotësisht i përgatitur për të pritur turneun dhe se bashkëpunimi me FIFA-n është i ngushtë në aspektin e logjistikës dhe sigurisë.
Ky do të jetë Botërori i tretë që organizohet në Meksikë, pas edicioneve të FIFA World Cup 1970 dhe FIFA World Cup 1986. Në total, vendi do të presë 13 ndeshje të turneut.
Top Channel