Kosova në zgjedhje të jashtëzakonshme/ Presidentja Osmani: Këtu e sollën vendin njerëz me qëllime të rrezikshme

06/03/2026 14:06

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nxori këtë të premte dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, “pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues”.

Sipas Osmanit, moszgjedhja e presidentit të ri deri në mesnatën e 5 marsit e ka shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke theksuar se vendimi është detyrim kushtetues. Osmani shtoi se “këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshëm“.

“Në këto rrethana gjuha e Kushtetutës është e detyrueshme. Neni 82 nuk thotë se Presidenti mund të zgjidhet deri 30 ditë para afatit, thotë: duhet, duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Pra kjo nuk është një kompetencë diskrecionale, është një detyrim kushtetues dhe për këtë arsye në përputhje me nenin 82 dhe nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës kam vendosur ta shpërndaj Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të shpall zgjedhjet e reja pas konsultimeve të cilat do t’i mbaj me partitë politike. Natyrisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i kuvendit për të kryer detyrën e tyre kushtetuese. Askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por, këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme. Alternativa, zvarritjet do të krijonin situata shumë më të rrezikshme, një proces i zvarritur pafund, siç e kemi parë në tërësi vitin 2025, dhe një shtet që fillon të relativizojë edhe vet kushtetutën e tij”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se sipas Kushtetutës, presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, i cili në rastin e saj përfundon më 4 prill 2026. Osmani ka theksuar se rasti i dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqet pengesë për shpërndarjen e Kuvendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB