Vota kundër shkarkimit të Spiropalit, Berisha e Topalli me versione të ndryshme. Ish-kryetarja e Kuvendit: E bëra gabimisht. Kreu i PD: Faji i Niko Peleshit

05/03/2026 15:35

Parlamenti votoi me 83 vota pro dhe 2 kundër shkarkimin e Elisa Spiropalit si ministre e Jashtme.

Ajo që ra në sy gjatë votimit ishte vota kundër e fiksuar në tabelën elektronike e Jozefina Topallit dhe Sali Berishës.

Kreu i PD-së gjatë procesit të votimit ishte në foltoren e Kuvendit ku po kërkonte të merrte fjalën.

Lidhur me procesin e votimit, Berisha dhe Topalli kanë dhënë versione të ndryshme për mënyrën se si është votuar.

Fillimisht reagoi Topalli, e cila tha se vota kundër ka qenë një lapsus pasi ajo e kishte shtypur elektronikën për të kërkuar fjalën.

“Në momentin e kaosit në Parlament, kur opozitës nuk po i jepej fjala, kam shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën. Kjo ka përkuar rastësisht me momentin e votimit për shkarkimin e një ministri. Bëhet fjalë për një lapsus teknik dhe jo për shprehje të vullnetit tim politik. Sqaroj gjithashtu se në atë moment z. Berisha ishte në foltore dhe nuk ka votuar”, thotë Topalli.

Ndërsa kreu i PD-së, Sali Berisha në një prononcim për mediat, deklaroi se në momentin e votimit ka qenë në foltore dhe akuzoi kreun e Kuvendit, Niko Peleshi se e ka manipuluar procesin.

Zoti Berisha, një pyetje, në momentin e votimit për shkarkimin e Spiropalit, rezulton se keni votuar kundër?

Sali Berisha: Absolutisht nuk e kam votuar fare, një mashtrim i paskrupullt. Ne nuk kemi votuar fare.

Por del te sistemi?

Sali Berisha: Se çfarë ka bërë sistemi, unë nuk di gjë, unë kam qenë gjithë kohën, siç e ke parë ti, merr kamerën tënde, unë kam qenë në platformë.

Keni mandatuar zonjën Topalli?

Sali Berisha: Jo, kategorikisht. As zonja Topalli nuk ka votuar. Nuk e ka shtypur, nuk ka qenë fare zonja Topalli aty. Është e tëra mekanizëm i Niko Peleshit.

Zonja Topalli e ka pranuar këtë gabim?

Sali Berisha: Unë nuk kam asnjë lloj, unë kam qenë në platformë zotëri, nuk kam votuar kurrë. Unë kam qenë në platformë duke kërkuar fjalën. Unë vazhdova në platformë sepse ai nuk më lejonte fjalën.

Kjo ishte gjithë puna.

Sa i përket Spiropalit, unë ia dhashë përgjigjen asaj si iku ajo.

Top Channel