Senati mbështet Trump, bllokon propozimin për kufizim autoriteti në luftën e Iranit

05/03/2026 13:52

Senati amerikan hodhi poshtë propozimin që kufizonte autoritetin e Presidentit Donald Trump për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit pa miratimin e Kongresit.

Çdo zyrtar iranian që synon të zëvendësojë liderët e vrarë “do të përfundojë i vdekur”, u shpreh ai një ditë më parë, dhe u zotua se SHBA-ja dhe Izraeli do të vazhdojnë fushatën ushtarake kundër Iranit. Shefi i Shtëpisë së Bardhë këmbënguli se udhëheqja iraniane po dobësohet shpejt dhe se arsenali raketor i Teheranit “po zhduket me shpejtësi”.

Shumica republikane e Senatit duket se e mbështet qëndrimin e tij. Argumenti i tyre ishte se presidenti, si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, ka autoritetin të udhëheqë operacionet ushtarake. Demokratët e quajtën votimin një test për rendin kushtetues, por kjo nuk e lëkundi aspak qëndrimin e republikanëve, që insistuan se ai vepron për të mbrojtur trupat amerikane.

Propozimi  paraqitur në Senat kërkonte që çdo sulm i mëtejshëm ushtarak të miratohej nga Kongresi. Shtëpia e Bardhë shpjegoi edhe një herë se trupat tokësore amerikane nuk janë të angazhuara në Iran në këtë moment. Por numri i tyre në rajon po shtohet, siç pohoi dhe kreu i Pentagonit, Pete Hegseth që cili tha se trupa të reja janë duke mbërritur atje dhe se fushata e SHBA-së dhe Izraelit kundër Republikës Islamike, sapo ka filluar.

“Ky është vetëm fillimi. Më shumë trupa, e më shumë avionë bombardues po mbërrijnë në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara do të përdorin një furnizim “gati të pakufizuar” me bomba nga 226 deri në 900 kg. SHBA-ja dhe Izraeli do të mbjellin vdekje dhe shkatërrim nga qielli”, shprehet Hegseth.

Trafiku ajror mbetet i bllokuar teksa Irani vazhdon kundërpërgjigjen me raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe vendeve të tjera ku ndodhen baza amerikane.

Mijëra qytetarë perëndimorë po evakuohen nga rajoni, teksa në ditën e 6 të konfliktit Izraeli ndërmori sulme të reja ndaj Libanit dhe Iranit, duke goditur edhe një “sistem mbrojtjeje ajrore” në Isfahan, ndërsa Irani lëshoi raketa drejt Tel Avivit dhe Jerusalemit, por shumë prej tyre u diktuan në kohë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB