Promovimi i librit ‘Në Sofën e Hënës’, kryeministri Rama flet për projektin e ri: Do të ndërtojmë një muze arti islam tek ish-Sarajet e Toptanëve

05/03/2026 18:11

Gjatë promovimit të librit ‘Në Sofrën e Hënës’, Kryeministri Edi Rama ka folur edhe për një projekt të ri, i cili është ndërtimi i një muzeu arti islam në Shqipëri.

Rama u shpreh se ky muze që i mungon vendit tonë do të ngrihet tek ish-Sarajet e famshme të Toptanëve, pranë Kalasë së Tiranës dhe ngjitur me Parlamentin.

“Ka qenë kënaqësi dhe me thënë të drejtën jam ndjerë i përkëdhelur nga fati i detyrës që mu dha mundësia të njoh profesorin, Besnikun. Besniku është një njeri që sigurisht e ndjek fenë islame, por në të njëjtën kohë e ligjëron në Universitetin e Tübingen. Jemi njohur përmes punës së një fondacioni shumë të bukur që është themeluar në Shqipëri që quhet Konak. Janë një grup që bëjnë përpjekje për të koleksionuar artefakte të kulturës islame dhe bashkërisht kemi dhe një projekt shumë të bukur. Është ideja e tyre, por projekti është i përbashkët për të ngritur edhe muzeun e artit islam në Shqipëri. Ne nuk e kemi një muze të tillë për fat të keq.

Të gjitha vendet që kanë kulturë islame në organizmin e tyre kanë një muze të tillë, por dhe vende që nuk kanë një kulturë të mirëfilltë islame bashkëkohore, por mund t’i kenë në të shkuarën rrënje të kulturës islame, kanë muze të tillë dhe ne jemi duke punuar për projektin dhe do të jetë shumë bukur sepse do të ngrihet tek ish sarajet e famshme të Toptanëve, pranë Kalasë së Tiranës dhe ngjitur me Parlamentin dhe njëkohësisht po në atë oaz do të ngrohet dhe muzeu tjetër i quajtur Muzeu Besa që do t’i bëjë jehonë marrëdhënies sonë me hebrenjtë dhe që do të sjellë në jetën tonë kulturën bashkëkohore hebraike. Kështu që në njëfarë mënyre plotësohet një mozaik”, u shpreh Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB