“Blindimi” i Qipros pas sulmit me dronë nga Irani, ja cilat janë shtetet që po dërgojnë ndihmë ushtarake për ishullin e Mesdheut
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, udhëtoi drejt Qipros për të zbutur tensionet diplomatike pas një sulmi me dron që goditi bazën e RAF në Akrotiri.
Ngjarja ka nxitur tensione, shqetësime, si dhe ka detyruar evakuimin e familjeve që jetojnë në bazat ushtarake.
Sipas autoriteteve britanike, droni, një model i lirë iranian i tipit Shahed, arriti të shmangte mbrojtjen duke fluturuar ngadalë dhe afër tokës. Mendohet se ai është lëshuar nga një milici pro-iraniane në Liban ose Irakun Perëndimor. Megjithatë, hetimet nuk kanë konfirmuar ende vendin e saktë të nisjes.
Ky sulm erdhi gjatë bombardimeve hakmarrëse të Iranit pas një vale sulmesh të SHBA-së dhe Izraelit, që shkaktuan vdekjen e udhëheqësit suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei.
Qeveria qipriote ka shprehur zhgënjim për dështimin e Mbretërisë së Bashkuar për të paralajmëruar qytetarët. Ministri i mbrojtjes së Qipros u takua me Healey në Nikozia mëngjesin e sotëm për të diskutuar masat e sigurisë.
Presidenti qipriot, Nikos Christodoulides, kritikoi hapur dështimin për të ndaluar dronin dhe theksoi se Qipro nuk ka ndërmend të marrë pjesë në asnjë operacion ushtarak.
Ky ishte sulmi i parë ndaj një objekti ushtarak britanik në Qipro në 40 vitet e fundit. Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se droni u nis para se Britania të autorizonte përdorimin e bazave të saj për veprime mbrojtëse nga SHBA-ja, dhe asnjë bazë e RAF në Qipro nuk po përdoret nga bombardues amerikanë.
Komisioneri i lartë i Qipros në Britani, Kyriacos Kouros, tha se qytetarët ishin të frikësuar dhe kërkuan më shumë bashkëpunim për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
Top Channel