“Nikolla i zemrës së Tiranës”, dokumentari i regjisorit Mevlan Shanaj për kompozitorin Nikolla Zoraqi u shfaq në Universitetin e Arteve për studentët e muzikës dhe artit skenik.
Studentët u njohën me krijimtarinë e një prej kompozitorëve më të mëdhenj në vend, që e bënë orkestrën të flasë shqip.
“Nikolla Zoraqi përbën një nga kolonat e fuqishme që mbajnë artin tonë muzikor dhe që përbëjnë edhe një vlerë të jashtëzakonshme mbarëkombëtare. Lidhja e këtij artisti të madh me melosin, me traditën jo vetëm të Tiranës, por me gjeografinë e të gjithë hapësirës mbarëshqiptare e gjejmë të komunikueshëm artin e Nikolla Zoraqit.”, shprehet Milto Kutali, Dekani i Fakultetit të Artit Skenik.
Me këngën “Dhuratë për ditëlindje”, baletin “Cuca e maleve”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “uvertura festive”, Zoraqi la një trashëgimi të vyer për brezat e rinj.
“Një nga kompozitorët më të mëdhenj të Shqipërisë. Ka 100 vepra të krijuara, 8 vepra skenike si askush tjetër. Ka lëvruar folkun shqiptar, sidomos atë të Tiranës”, shton më tej ai.
Në Fakultetin e Artit Skenik është bërë traditë organizimi i aktiviteteve dhe takimeve të tilla çdo të enjte, duke i nxjerrë studentët nga leksionet e zakonshme dhe duke u dhënë mundësi interaktiviteti me aktorë, producentë e regjisorë.
Top Channel