Sulme ndaj objekteve balistike nëntokësore, ky është plani i Izraelit për fazën e dytë të luftës në Iran
Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme është futur sot në ditën e pestë që nga sulmi i parë i Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit.
Gjatë natës Tel Avivi u shënjestrua 3 herë nga raketat balistike iraniane. Sulmet nga Teherani nuk munguan as në Jerusalem.
Ndërkohë numri i viktimave nga anija e fundosur iraniane afër brigjeve të Sri Lankës ka shkuar në 87, ndërsa 61 persona janë ende të zhdukur.
Sakaq pas sulmit me dron në bazën britanike RAF në Qipro, autoritetet vendase kanë rritur ndjeshëm masat mbrojtëse në rast të një sulmi tjetër nga Teherani.
Përditësime live, 5 mars 2026
14:49 Raketa e lëshuar nga Irani në Turqi, NATO mbledh sot Këshillin e Atlantikut të Veriut
Një takim i Këshillit të Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës politik i Aleancës Atlantike, është duke u zhvilluar në selinë e NATO-s në Evere, në periferi verilindore të Brukselit.
14:30 Iran, të vërtetat dhe gënjeshtrat e luftës, BBC verifikon pamjet e konfliktit të armatosur
Në një skenar me atë që pasoi luftën e Ukrainës, edhe në konfliktin e Iranit bashkë me informacionet dhe pamjet e vërteta, është vënë në lëvizje edhe makineria e propagandës me trillime, që tani, edhe falë Inteligjencës Artificiale, e bëjnë akoma edhe më të hollë vijën ndarëse mes tyre.
14:26 Kurdët hyjnë në Iran, Jerusalem Post: Qindra vetë kaluan nga kufiri me Irakun!
Qindra luftëtarë kurdë kanë nisur një ofensivë tokësore në Iran, sipas Jerusalem Post, që pohon aktivizimin e miliceve kurde në zonat pranë kufirit me Irakun.
Qiproja është në epiqendër të zhvillimeve të fundit gjeopolitike në Lindjen e Mesme, pasi lufta midis Iranit, Izraelit dhe SHBA-së ka shkaktuar tensione në rritje në rajonin dhe më gjerë.
13:52 Senati mbështet Trump, bllokon propozimin për kufizim autoriteti në luftën e Iranit
Senati amerikan hodhi poshtë propozimin që kufizonte autoritetin e Presidentit Donald Trump për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit pa miratimin e Kongresit.
Libani është përfshirë nga frika se tërbimi i Izraelit këtë radhë, nuk do të kufizohet vetëm tek ndërhyrjet në rajonet kufitare të tij.
Ministria e Jashtme libaneze pohoi se druhen që infrastruktura e vendit mund të bëhet shënjestër e një ofensivë të mirëfilltë izraelite, pas përshkallëzimit të sulmeve të shtetit hebre ndaj Hezbollahut të mbështetur nga Teherani.
13:34 Pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme, rritet me 7 cent çmimi i naftës në Greqi
Çmimet e karburanteve në Greqi po shënojnë rritje të reja, nga tensionet në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe luhatjet e çmimit të naftës, në një periudhë kur situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme po krijon presione të ndjeshme.
12:46 Përse Irani goditi bazën e RAF në Qipro? The Sun: Kishte armë amerikane “top secret”
Droni iranian që goditi një bazë të ushtrisë britanike në Qipro, shënjestroi në fakt hangarin e saj të përdorur nga avionë amerikane mbikëqyrjeje me kodin “Top Secret”, shkruan The Sun.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se dëmet e shkaktuara nga sulmi ndaj bazës në Akrotiri ishin “minimale”. Por një fotografi e siguruar nga The Sun tregon shkatërrimin e një pjese të hangarit që strehonte avionët amerikanë U-2.
Valë të forta sulmesh ajrore kanë goditur dhjetëra pozicione ushtarake, poste kufitare dhe stacione policie përgjatë pjesëve veriore të kufirit Iran-Irak, në atë që duket të jetë një përgatitje e SHBA-së dhe Izraelit për një front të ri në konfliktin me Iranin.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, udhëtoi drejt Qipros për të zbutur tensionet diplomatike pas një sulmi me dron që goditi bazën e RAF në Akrotiri.
Sipas autoriteteve britanike, droni, një model i lirë iranian i tipit Shahed, arriti të shmangte mbrojtjen duke fluturuar ngadalë dhe afër tokës. Mendohet se ai është lëshuar nga një milici pro-iraniane në Liban ose Irakun Perëndimor. Megjithatë, hetimet nuk kanë konfirmuar ende vendin e saktë të nisjes.
Bllokada e Ngushticës së Hormuzit nga Irani po rrezikon të shkaktojë një tronditje të re në tregjet globale të ushqimit, pasi po ndërpritet transporti i lëndëve të para për prodhimin e plehrave.
09:59 Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme, dronët iranianë godasin një aeroport në Azerbajxhan
Dronët iranianë kanë rënë në Nakhiçevanit, të Azerbajxhanit, mediat lokale se është goditur aeroporti i rajonit në një veprim që zgjeron më tej gamën e vendeve që janë sulmuar nga Teherani.
Tel Avivi u sulmua tre herë me raketa balistike nga Irani gjatë natës. Siç raporton korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe kryeqyteti izraelit u shënjestrua 3 herë nga raketat iraniane.
Italia planifikon të dërgojë ndihmë për mbrojtjen ajrore në vendet e Gjirit Persik, pas përshkallëzimit të tensioneve dhe sulmeve ajrore iraniane në rajon.
Garda Revolucionare e Iranit deklaroi të enjten se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur për anijet që i përkasin Shteteve të Bashkuara, Izraelit, vendeve evropiane dhe aleatëve të tyre.
08:49 Lufta në Lindjen e Mesme, Irani sulmon tankerin amerikan të naftës
Ndërsa Izraeli bombardon Teheranin për të gjashtën ditë radhazi, Irani nisi gjithashtu valën e vet të sulmeve kundër Izraelit dhe objektivave amerikane.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike tha këtë mëngjes se vala e 19-të e operacionit “Premtimi i Vërtetë 4” kishte filluar me një sulm të kombinuar me raketa dhe dronë kundër pozicioneve amerikane dhe izraelite në rajon, sipas transmetuesit shtetëror Press TV.
Përgatitjet e autoriteteve qipriote po rriten dita-ditës për sa i përket gatishmërisë operacionale, pasi zbulimi i djeshëm i objekteve të dyshimta si herët në mëngjes ashtu edhe pak para mesnatës rezultoi jo vetëm në ngritjen e dy prej katër avionëve luftarakë grekë të stacionuar në ishull për të kryer operacione zbulimi, por edhe në përmirësimin e masave për mbrojtjen e ishullit, e cila vazhdon me një ritëm intensiv.
Shpërthime u dëgjuan në Jerusalem këtë mëngjes pas një serie të re lëshimesh raketash nga Irani, ndërsa shërbimet izraelite të emergjencës thanë se deri më tani nuk ka pasur viktima.
Ndërkohë ushtria pretendon se ka shkatërruar rreth 300 raketahedhës në Iran që nga fillimi i luftës të shtunën.
08:01 Raketa iraniane drejt Turqisë, reagojnë forcat e Teheranit: Nuk kishte synim tokën turke
Forcat e armatosura të Iranit lëshuan një deklaratë sot në mëngjes duke mohuar se kishin qëlluar një raketë balistike drejt Turqisë ditën e djeshme.
“Ne e respektojmë integritetin territorial të Turqisë, është një vend mik dhe fqinj”, thotë deklarata, që erdhi pothuajse 24 orë pas raportimeve se një raketë iraniane ishte qëlluar në bazën ushtarake Incirlik në Turqi dhe ishte rrëzuar nga NATO.
07:48 Fundosja e anijes iraniane nga nëndetëset amerikane afër Sri Lankës, shkon në 87 numri i viktimave, 61 persona ende të zhdukur
Fundosja e fregatës iraniane Iris Dena në Oqeanin Indian, ka shkaktuar 87 të vdekur dhe 61 të zhdukur.
Sulmi, i cili ndodhi në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Sri Lankës, e lë Iranin përballë humbjes së një anijeje të madhe detare.
Top Channel