Pas Vllaznisë, ishte Elbasani skuadra që preu biletën për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Skuadra e Gvozdenovic eliminoi në çerekfinale Partizanin duke e mundur në Arenën e Demave me rezultatin 3-1 duke përmbysur në këtë mënyrë humbjen e sfidës së parë 1-0.

Ishte një ndeshje që shkoi me kohë shtesë pasi 90 minutëshi i kohës së rregullt u mbyll me fitoren 2-1 të skuadrës verdheblu. Elbasani mori avantazhin në këtë ndeshje në minutën e 25 me golin e Lajthias, por 14 minuta më vonë Të Kuqtë barazuan shifrat në 1-1 me golin e Contreras.

Këtu situata ishte në favor të Partizanit, por në minutën e 49 të besuarit e Kërnajës u ndëshkuan sërish pasi Lajthia shënoi edhe golin e dytë për Elbasanin që e çoi rezultatin 2-1 që mbeti i tillë deri në fundin e kohës së rregullt me skuadrat që iu drejtuan kohës shtesë. 

U duk se edhe 30 minutat në vijim do të mbylleshin 2-1, por në minutën e 120 Elbasani shënoi sërish këtë radhë me Ze Gomes  që ekzekutoi saktë një penallti të akorduar nga sistemi VAR për të besuarit e Gvozdenovic me Elbasanin që e mbylli ndeshjen 3-1 duke u kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB