Thashethemet dhe teoritë për Jim Carreyn/ Fansat menduan se nuk ishte vetë aktori në daljen e tij të fundit, ja si përgjigjet…

03/03/2026 15:59

Përfaqësuesi të aktorit komedian amerikan, Jim Carrey tha sot se dëshiron që e gjithë bota ta dijë që ishte vetë aktori që u shfaq në një ndarje çmimesh në Francë javën e kaluar dhe jo një sozi e tij siçpretenduan disa fansa në internet pasi vunë re ndryshime në pamjen e jashtme të yllit amerikan të komedisë.

“Jim Carrey mori pjesë në Çmimet César, ku pranoi Çmimin e tij të Nderit César”, tha Marleah Leslie për CNN.

Pse gjithë kjo bujë? Fotot dhe videot e Carrey që dukej më i mbushur dhe me më pak rrudha në fytyrë pushtuan internetin gjatë fundjavës. Disa komentues e quajtën atë “të panjohshëm” dhe të tjerë bënë akuza të pabaza se nuk ishte fare Carrey, por një sozi i tij.

Aktori ka qenë mjaft i vetmuar vitet e fundit, pasi i tha “Access Hollywood” në vitin 2022 se po mendonte tw tërhiqej nga aktrimi përpara se të dilte përsëri në publik në vitin 2025 në premierën në Mbretërinë e Bashkuar të “Sonic the Hedgehog 3”, në të cilën ai e riinterpretoi rolin e tij të Dr. Robotnik.

Duke i shtuar benzinë ​​teorive: Artisti Alexis Stone i njohur për aftësinë e tij për të transformuar pamjen e tij si personazhe të famshëm të ndryshëm publikoi një postim në mediat sociale ku dukej sikur ai pretendonte se kishte imituar Carreyn në ndarjen e çmimeve.

“Alexis Stone si Jim Carrey në Paris”, shkroi fenomeni i grimit në mbishkrimin e një grupi fotosh që tregonin imazhe të Carrey-t në eventin e ndarjes së çmimeve, si dhe një fotografi të një maske, dhëmbëve artificialë dhe një paruke që dukej si flokët e Carreyt.

CNN ka kontaktuar përfaqësuesit e Stone për koment.

Deri në një farë mase, spekulimet se Carrey po na bënte shaka ishin të kuptueshme. Carrey është i njohur për sensin e tij të humorit. Ato e bënë atë një hit në shfaqjen e skeçeve të viteve 1990 “In Living Color” dhe filmin e tij të vitit 1994 me titullin e përshtatshëm “The Mask”.

Për më tepër, atij përveçse i pëlqen humori, vite më parë bëri bujë pas një interviste të çmendur në Javën e Modës në Nju Jork, ku u soll paksa i çuditshëm duke bërë deklarata të tilla si “Ky nuk jam unë”, megjithëse më vonë shpjegoi se ishte e gjitha një “eksperiment ekzistencial”.

Apo është thjesht marrëdhënia që njerëzit kanë me yjet saqë kur ata si Carrey, të cilët mezi dalin më skenë, dalin duke u dukur ndryshe, mund të jetë e vështirë të kuptohet se nuk mund ta ndalin kohën për t’u dukur pikërisht siç i kujtonim?

Yjet femra e dinë se publikut nuk i duhet shumë kohë për të gjykuar, në mënyrë pozitive apo negative, pamjen e tyre.

Pamja e re e Carrey-t ka disa teori konspirative se ai mund të ketë bërë pak ndërhyrje ose ndoshta pak botox.

Ai nuk është i pari që i ndodh kjo. Sipas raportit vjetor të statistikave procedurale të Shoqatës Amerikane të Kirurgëve Plastikë (ASPS) të raportuar nga New Beauty në janar 2025, më shumë burra po shkojnë drejt ndryshimit të pamjes së tyre.

Raportohet se burrat përbënin rreth 7 % të të gjithë pacientëve të kirurgjisë kozmetike në vitin 2024, një rritje me 1% nga viti i kaluar”.

Nga këngëtari Joe Jonas, i cili vite më parë jo vetëm që përdori markën e injektueshme Xeomin për të zbutur rrudhat e holla, por edhe u bë ambasador i markës për to deri te gjyqtari i konkursit të reality show-t Simon Cowell i cili i tha The Sun në vitin 2022 se hoqi dorë nga përdorimi i mbushësve në fytyrë sepse “Pati një fazë ku mund të kishte tepruar”, personazhet e famshëm meshkuj kanë shumë ndikim kur bëhet fjalë për procedurat kozmetike.

Në rastin e Carreyt, nuk ishte vetëm fytyra e tij që i dha besueshmëri teorisë së konspiracionit se personi që mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nuk ishte në të vërtetë ai.

Fjalimi i tij i pranimit u mbajt në frëngjisht, e cila nuk është gjuha amtare e Carreyt.

Gregory Caulier, delegati i përgjithshëm i Çmimeve César, u përpoq të qetësonte spekulimet duke i thënë Variety në një deklaratë se aktori i “The Truman Show” “punoi për fjalimin e tij në frëngjisht për muaj të tërë, duke më pyetur për shqiptimin e saktë të fjalëve të caktuara”.

“Ai erdhi me partneren e tij, vajzën e tij, nipin e tij dhe 12 miq të ngushtë dhe anëtarë të familjes. Publicisti i tij i hershëm e shoqëroi”, tha Caulier për Carrey.

“Miku i tij i vjetër Michel Gondry, i cili ka bërë një film dhe dy seriale me të, ishte atje dhe ata ishin të kënaqur që e panë përsëri njëri-tjetrin”, shtoi Caulier.

Pra ndoshta njerëzit duhet të ndalojnë së qeni Grinchi (personazhi ikonik i aktorit) që vjedh momentin e nderit të marrjes së çmimit nga Carrey.

Top Channel