Brenda ditës do të transferohet në ishullin Karpathos në Egjeun juglindor një bateri raketore Patriot, si masë parandaluese për shkak të përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme.
Vendimi që ka marrë qeveria greke orët e fundit konsiderohet një lëvizje mbrojtëse, me synim forcimin e mburojës ajrore në juglindje të vendit dhe rritjen e gatishmërisë përballë çdo kërcënimi të mundshëm.
Athina konfirmon se do të marrë të gjitha masat mbrojtëse në situatën e zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, duke mohuar zërat për implikimin e saj në konflikt. Sistemi Patriot që disponon edhe Greqia është një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe antiraketore në botë. Ai është i aftë të interceptojë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, raketa cruise dhe dronë, në lartësi deri në 15 kilometra dhe në distanca deri në 35 kilometra.
Një bateri e vetme Patriot mund të mbulojë një zonë prej 100 deri në 200 kilometra katrorë, në varësi të terrenit dhe konfigurimit të lëshuesve. Sistemi përfshin radar me saktësi të lartë, qendër kontrolli, njësi furnizimi me energji dhe 6 deri në 8 lëshues raketash. Është një sistem shumë i kushtueshëm, por thelbësor për mbrojtjen kundër kërcënimeve moderne ajrore.
Paralelisht, Athina ka rritur praninë e saj ushtarake në Qipro. Dy fregata të Marinës greke, “Kimon” dhe “Psara”, janë nisur drejt ishullit. “Kimon” është e pajisur me radar me rreze deri në 500 kilometra dhe raketa Aster 30 me aftësi kundërajrore dhe antibalistike, ndërsa “Psara” mban sistemin kundër dronëve “Kentavros”. Ndërkohë, katër avionë luftarakë F-16 ndodhen tashmë në gatishmëri operacionale në bazën ajrore të Pafos.
Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, gjithashtu zhvillon në Nikozia takime me Presidentin e Qipros dhe homologun e tij qipriot, në kuadër të doktrinës së përbashkët mbrojtëse Greqi–Qipro. Mbështetje për Qipron ka paralajmëruar edhe Franca, e cila po shqyrton dërgimin e sistemeve antiraketore, mjeteve kundër dronëve dhe një fregate.
Në të njëjtën kohë, qeveria greke po monitoron nga afër edhe ndikimin ekonomik të krizës, veçanërisht në çmimin e naftës, duke qenë se tensionet në rajon dhe zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë.
Top Channel