Kupa e Italisë/ Mbyllet në barazim pa gola gjysmëfinalja e parë Como-Inter, gjithçka vendoset në “San Siro”

03/03/2026 23:09

Gjysmëfinalja e parë e Coppa Italia mes Como-s dhe Interit u mbyll me barazim 0-0, në një ndeshje të dominuar më shumë nga taktika dhe kujdesi sesa nga spektakli. Gjithçka do të vendoset në sfidën e kthimit në “San Siro” pas tri javësh.

Zikaltrit patën një rast të mirë që në fillim të pjesës së dytë, kur Darmian goditi shtyllën, ndërsa më pas Valle shpërdoroi një mundësi të artë pranë portës. Megjithatë, Interi i drejtuar nga Cristian Chivu u duk i përmbajtur dhe jo shumë agresiv në fazën sulmuese.

Nga ana tjetër, Como krijoi disa raste të pastra në pjesën e parë. Vojvoda pati dy mundësi të mira, por nuk arriti të finalizonte, ndërsa Nico Paz vuri në provë portierin Josep Martinez me një goditje të fuqishme nga distanca. Skuadra vendase insistoi veçanërisht nga krahu i djathtë, por pa arritur të thyejë mbrojtjen mike.

Në pjesën e dytë, ndryshimet e bëra nga të dy trajnerët nuk sollën kthesën e shumëpritur. Loja mbeti e bllokuar dhe me pak emocione, me të dyja skuadrat që dukeshin më të interesuara për të mos pësuar sesa për të rrezikuar. Në fund, rezultati 0-0 lë gjithçka të hapur për aktin e dytë, ku do të vendoset skuadra finaliste e Kupës së Italisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB