Barcelona i afrohet ‘remuntadës’, por në finalen e Kupës së Mbretit, pas 13 vitesh shkon Atletico Madrid

03/03/2026 23:19

Barcelona iu afrua mrekullisë, por nuk e çoi dot deri në fund atë. Skuadra katalanase arriti të fitojë 3-0 në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Mbretit ndaj Atletico Madrid, por nuk i mjaftoi dhe në finalen e kompeticionit shkon pikërisht skuadra e Diego Pablo Simeones, që kthehet në një finale të tillë pas 13 vitesh.

Barcelona vinte në këtë sfidë të kthimit me humbjen 4-0 të pësuar në Metropolitanos dhe katalanaseve iu duhej të bënin një mrekulli. Barcelona zhvilloi një pjesë të parë perfekte teksa e mbylli Atleticon në gjysmëfushën e tij. Skuadra katalanase u hodh menjëherë në sulm duke krijuar disa mundësi shënimi. Por në minutën e 30, katalanasit zhbllokuan rezultatin me Bernal që nga shumë pranë portës dërgoi në rrjetë një top të Lamine Yamal pas një aksioni personal në krahun e majtë të këtij të fundit. Në minutat shtesë të pjesës së parë Pedri fitoi një 11 metërsh për Barcelonën dhe Raphinha nuk gaboi nga pika e bardhë duke e çuar rezultatin në 2-0 dhe Camp Nou shpërtheu në festë dhe me këto shifra u mbyllën 45 minutat e para të kësaj ndeshjeje.

Në fillimin e pjesës së dytë, Barcelona iu afrua sërish golit por Musso në dy raste ndali katalanasit. Goli i katalanasve erdhi në minutën e 71 me Bernal që çoi shifrat në 3-0. Skuadra e Hansi Flick nuk i rreshti sulmet në kërkim të golit të 4-t që do të barazonte gjithçka, por edhe pse mundësitë i patën futbollistët e Barcelonës nuk mundën dot ta gjenin atë. Në Camp Nou, sfida u mbyll 3-0 për Barcelonën e cila do të mbajë pengun e 45 minutave të para katastrofike të zhvilluara në Metropolitano në gjysmëfinalen e parë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB