“Dhuna e Berishës ndihmon Ramën”/ Molotovët tek ish-vila e diktatorit Enver Hoxha, analistët: Autogol i opozitës Kreu i grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla i është drejtuar opozitës duke i thënë se duhet të distancohen nga dhuna, referuar asaj çka ndodhi në protestën e së shtunës.
Nga foltorja e Kuvendit Balla tha se aktet e dhunës dhe flaka në ish-vilën e Enver Hoxhës, është një shenjë e keqe e Partisë Demokratike, që sipas tij ishte partia që në 1991 ideal kishte anëtarësimin e vendit në familjen europiane.
“Ju braktisni foltoren e qytetarëve, për të shkuar diku ku nuk bëheni as 70 veta. Sot është dita që dikush në emrin e grupit parlamentar të PD, duhet të distancoheni nga dhuna.
Madje dëgjova një përfaqësues tuajin që kishte nxjerr dhe shembuj të protestave të tjera.
Ka protesta të dhunshme dhe në vende të tjera por jo të udhëhiqen nga një parti. Mund t’i bëjnë grupe të caktuara por jo nga parti. Sulmi ndaj vilës së Enver Hoxhës që shërben si qendër kulturore për artistët e huaj, është sinjal i keq për një parti politike e cila në 91 kishte ideal anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane, dhe sot jeni shndërruar në parti që përdorni zjarr e flakë kundër fondacioneve të huaja”, tha Balla.
Ndërkohë ai u ka kthyer përgjigje edhe akuzave të opozitës, sa i takon bllokimit të aksit Librazhd-Përrenjas, teksa tha se ajo që ka ndodhur me dëmtimet e rrugës, lidhen me fatkeqësinë natyrore.
“Sa i përket bllokimit të aksit Librazhd-Përrenjas, përtej thashethemnajës, ai është një rast që është i qartë që kemi të bëjmë me një fatkeqësi natyrore. Prej nesër në orën 12:00, rifillon qarkullimi në atë kalim të përkohshëm ndërkohë që vijon puna për vijimin e korridorit 8”, tha Balla.
Top Channel