Real Madridi ka marrë një goditje të madhe këtë javë, pasi është konfirmuar se Kylian Mbappe do të mungojë për shkak të problemeve në gju.

Superylli 27-vjeçar kishte disa javë që luante me një dëmtim serioz në gjurin e majtë. Sulmuesi francez kishte menaxhuar dhimbjen, duke shtyrë veten deri në limitet fizike, por këtë javë ai arriti pikën ku nuk mund të vazhdonte më, pak para ndeshjes ndaj Benficas. Pasi mungoi në atë takim, u raportua se Mbappe do të jetë jashtë fushës edhe për ndeshjet e ardhshme në La Liga kundër Getafes dhe Celta Vigos, me shpresën që të jetë gati për ndeshjen e parë të fazës së 1/16-ës së Ligës së Kampionëve.

Sipas gazetarit Javi Herraez nga Cadena SER, Mbappe tashmë ka nisur procesin e rikuperimit me një objektiv të qartë, të rikthehet sa më shpejt për të ndihmuar Realin e Madridit në një fazë vendimtare të sezonit. Raportohet se kapiteni i Francës pritet të mungojë rreth tri javë, ndërsa rikthimi i tij synohet për ndeshjen e dytë të fazës së 1/16-ës së Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt

Kjo do të thotë se Mbappe do të humbasë përballjet ndaj Getafes, Celta Vigos, ndeshjen e parë ndaj Manchester Cityt si dhe takimin kundër Elches. Aktualisht, data 17 mars është e shënuar me prioritet në kalendarin e Realit të Madridit, pasi nëse gjithçka shkon sipas planit, Mbappé mund të rikthehet pikërisht për sfidën vendimtare ndaj Manchester Cityt.

27-vjeçari ka qenë lojtari më i mirë i Real Madridit këtë sezon dhe njëkohësisht golashënuesi kryesor i skuadrës, me 38 gola në 33 ndeshje, si dhe gjashtë asistime, statistika që e bëjnë mungesën e tij edhe më të ndjeshme për “Los Blancos”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB