“Maskat ranë”, ministrja Koçiu për protestën e opozitës: Objektivi i vërtetë i kësaj dhune, dëmtimi i ekonomisë shqiptare dhe sabotimi i turizmit

28/02/2026 22:26

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu e ka quajtur protestën e sotme të PD si një objektiv të Sali Berishës dhe familjes së tij për të mbajtur peng Shqipërinë.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministrja Koçiu shprehet se në këtë protestë u vërtetua “se objektivi i vërtetë i kësaj dhune është dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare, sabotimi i turizmit dhe përpjekja për të nxirë me çdo kusht imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, pikërisht në momentin tonë më të mirë”.

“Maskat ranë përfundimisht. Sot u shfaq hapur dhe pa asnjë dritëhije objektivi i vetëm i Sali Berishës dhe familjes së tij: mbajtja peng e Shqipërisë për llogaritë e tyre personale.

Ajo që pamë në rrugët e Tiranës nuk ishte një protestë demokratike, por një shfaqje e pastër e një sjelljeje antikombëtare dhe anti-shqiptare, ku interesi personal i një individi dhe i familjes së tij vendoset mbi qetësinë dhe sigurinë e një populli të tërë.

Ky nuk është më aksion politik, por një sulm i hapur ndaj stabilitetit të vendit.

Shqipëria, qytetarët e këtij vendi dhe jeta e përditshme e këtij kombi nuk mund të mbeten peng i një tufe banditësh të armatosur me molotovë, që kërkojnë të shkaktojnë kaos dhe terror. Në çmendurinë e tyre, ata nuk kursyen as artin, duke goditur një rezidencë ku ndodheshin artistë të huaj – një akt që tregon degradimin e plotë të një lëvizjeje që nuk njeh asnjë vlerë njerëzore.

Ky sulm ndaj interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë është i paprecedentë dhe nuk do të tolerohet. Po aq e vendosur dhe e paprecedentë do të jetë edhe përgjigjja institucionale, në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe të ardhmes europiane të vendit”, shprehet ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB