PD radikalizon protestën, i vë flakën ish-vilës së Enver Hoxhës. Përleshje me policinë. Rama: Opozita me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës

28/02/2026 22:00

Ka nisur protesta e opozitës prej orësh 18:00. Kreu i PD mbërriti fillimisht në selinë blu, nga ku nisi marshimin drejt Kryeministrisë.

Berisha shoqërohet nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike dhe protesutesit, ku pas Kryeministrisë u larguan drejt Policisë së Shtetit. Në momentin e marshimit, nisi hedhja e molotovëve. Teksa protestuesit iu afruan godinës së policisë, është “aktivizuar” kordoni i policisë në rrugë si dhe janë pozicionuar makinat ujëhedhëse.

Policia po ashtu u kundërpërgjigj molotovëve me ujë dhe gaz lotsjellës, ku si pasojë humbi ndjenjat një protestues.

Ashtu sikurse në protestën e një jave më parë, policia e kryeqytetit njoftoi se nuk merr përsipër protestën, ndërsa janë marrë masa për sigurimin e rendit. 1,300 forca janë në gatishmëri para godinës së Kryeministrisë. Në fokus të policisë është ruajtja e institucioneve, ndërsa janë marrë masat antitubim me autoboot uji, zjarrfikëse dhe ambulanca nëse do të jetë e nevojshme.

22:08 Protestuesit e PD i vunë zjarrin vilës së ish-diktatorit Hoxha, ministri Gonxhe: 12 artistë ndodheshin sot aty, ky është një agresion i hapur

Ministri i Kulturës Blendi Gonxhe ka reaguar pas zjarrit te vila e ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila shërben si qendër artistike, duke deklaruar se në momentin e zjarrit 12 artistë kanë qenë në këtë godinë.

22:02 Protestuesit e PD i vunë flakën vilës së ish-diktatorit Hoxha, Berisha: Agjentë të infiltruar mashtruan tubuesit që ishte Rama brenda…

“Ca njerëz me kostume të murrme, agjentë të infiltruar të policisë, u thonë protestuesve se këtu banon Rama, dhe ata ju kthyen. Ato fishekzjarrë që u hodhën aty ishin kundër Ramës, në fakt Rama nuk banonte aty se e sqarove, banonte te vila e Mehmet Shehut”, tha ai. I pyetur nëse e dinte që brenda në vilë kishte artisë të huaj, Berisha u shpreh i surprizuar.

21:35 Pamje me dron/ “Shi” fishekzjarrësh dhe molotovësh, momenti kur protestuesit e PD i vënë flakën vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha

Ky është momenti kur vila e ish-diktatorit Enver Hoxha përfshihet nga flakët.

21:17 U largua me makinë nga Bulevardi pas zjarrit te ish-vila e Enver Hoxhës, Berisha shkon në selinë e PD

Sali Berisha ka mbërritur në selinë e PD, ndërsa protestuesit dhe disa prej deputetëve të PD vijojnë të qëndrojnë në Bulevard. Berisha u largua me mjetin e tij pasi iu vu flaka vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha dhe policia u përgjigj me ujë.

21:15 Vijon hedhja e bombave molotov nga protestuesit e PD, policia ndërhyn me ujë dhe gaz lotsjellës, Noka: Asnjë akt dhune nga ne

“Çdo pushtet kur aplikon dhunën tregon se po ndjen fundin. Kjo që po zhvillojmë sot në një kryengritje paqësore, asnjë akt dhune, barbarët e pushtetit të panikosur bëjnë terror rrugëve të Tiranës. Ne nuk ndalemi”, u shpreh Noka, ndërsa u shfaq i lagur nga uji i hedhur nga policia.

21:09 I vunë zjarrin vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, Bardhi: Të paktën nuk ka njerëz të lënduar

“Ajo që unë di është që nuk ka asnjë person të lënduar. Të vetmit të lënduar janë qytetarët, protestues që janë sulmuar në mënyrë të paprecedentë nga policia me gaz. Do të vazhdojmë marshimin tonë. Protestuesit do të vazhdojnë marshimin e tyre deri në fund te selia e Partisë Demokratike”, tha Bardhi.

20:56 Pas zjarrit te ish-vila e Enver Hoxhës, Berisha largohet me mjetin e tij, protestuesit ende te Kryeministria

Sali Berisha është larguar nga protesta, teksa është parë të futet në mjetin e tij. Ndërkohë para Kryeministrisë vijojnë të qëndrojnë protestues të PD.

20:46 Ish-vila e Enver Hoxhës në flakë, protestuesit e PD hedhin ‘breshëri’ molotovësh dhe fishekëzjarrësh

Ish-vila e Enver Hoxhës është përfshirë nga flakët këtë mbrëmje, pasi protestuesit e PD kanë hedhur në drejtim të godinës së ish-diktatorit dhjetëra molotovë dhe fishekzjarrë.

20:44 Protesta e opozitës, reagon Balla: Partia që lindi nga idealet e dhjetorit ‘90, ka përfunduar të ketë ideal djegien e kazanëve

Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, Balla shkruan: Po si ka mundësi që Partia e cila lindi nga idealet e dhjetorit ’90, të përfundojë të ketë ideal djegien e kazanëve?!

20:32 Protestuesit e PD drejtohen për te Policia e Tiranës, në gatishmëri makina ujëhedhëse, efektivët krijojnë kordon

Protestuesit e PD i janë drejtuar tashmë Policisë së Tiranës. Në këtë pikë është krijuar një kordon policie si dhe është pozicionuar një makinë ujëhedhëse.

20:22 Protesta e PD/ Molotovë e gurë drejt kordonit të policisë, reagon ministrja Koçiu: Provokim i hapur dhe një dëshirë e ethshme për përshkallëzim

“Marshojnë si çlirimtarë në rrugët e kryeqytetit, ndërkohë që janë po ata vetë që shqiptarët i kanë lënë jashtë rrugës së politikës me votë. Duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish. Ky zjarr nuk djeg dot asnjë reformë dhe as të ardhmen europiane të Shqipërisë, por vetëm mbetjet e fundit të një opozite që nuk di më as kush është, as ku po shkon dhe as pse po bërtet”, shkruan Koçiu.

20:16 Protestuesit drejt selisë “Rozë”, krijohet kordon policie dhe makinë ujëhedhëse në PS

Protestuesit e opozitës vazhdojnë marshimin e tyre në rrugët e Tiranës. Pasi kaluan në Kuvend, ata u drejtuan drejt selisë së PS, aty ku u krijua një kordon policie dhe një makinë ujëhedhëse.

20:07 “Kryengritje paqësore”, Noka mes protestuesve: Tirana është në duart e qytetarëve, vazhdojmë

“Kryengritja paqësore vazhdon, pavarësisht dhunës, pavarësisht se narko Proda urdhëroi pengimin e marshimit, asgjë nuk e ndalon. Tirana është në duart e qytetarëve, kryengritja është në duart e qytetarëve”, tha Noka për mediat.

19:51 Zhvendosen protestuesit, marshojnë drejt Parlamentit, hidhen sërish molotovë

Protestuesit e PD janë larguar nga rruga që të çon drejt Policisë së Shtetit, aty ku patën dhe përplasje me efektivët e policisë, pasi tentuan që të çajnë kordonin. Gazetarja e Top Channel Elda Menga bën me dije se tashme ata janë drejtuar drejt Parlamentit, ndërsa gjatë rrugës kanë hedhur sërish molotovë.

19:42 Përplasjet mes protestuesve dhe policisë, një qytetar humb ndjenjat nga gazi lotsjellës

Një qytetar ka humbur ndjenjat për shkak të gazit lotsjellës. Gazin lotsjellës e hodhi policia në drejtim të protestuesve pasi nisi përplasja fizike mes tyre.

19:40 Edi Rama: Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës

Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e sotme që po zhvillon opozita në rrugët e kryeqytetit. Në një postim në rrjetin social X, Rama ka ndarë foto nga sulmet në Iran dhe një foto nga protesta dhe një kosh që digjet pas molotovëve, duke shkruar me ironi se “Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës”.

19:33 Hidhen gurë dhe molotovë drejt kordonit të efektivëve, tubuesit shpërndahen me ujë dhe gaz lotsjellës

Kanë nisur përplaset e para mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Gazetaret e Top Channel që ndodhen në terren, Elda Menga dhe Dorjana Bezat, raportojnë se drejt kordonit të policisë janë hedhur gurë dhe molotovë. Protestuesit dhe deputetët e PD kanë tentuar që të çajnë kordonin e policisë për të vijuar marshimin drejt ambienteve të Policisë së Shtetit.

19:23 Protestuesit nisen drejt Policisë së Shtetit, autoritetet u bëjnë “bllokadë”, kordon policie në rrugë 

Ndërsa protestuesit e PD janë nisur nga Kryeministria drejt ambienteve të Policisë së Shtetit, në këtë institucion janë marrë masa për të mos avancuar më tej. Gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat raporton se është “aktivizuar” kordoni i policisë në rrugë si dhe janë pozicionuar makinat ujëhedhëse. Gjatë marshimit, protestuesit kanë hedhur disa bomba molotovë.

19:14 Pas hedhjes së molotovëve nga protestuesit, Berisha: Ky është një tubim paqësor

Sali Berisha e ka cilësuar këtë protestë paqësore, ndërsa vetëm pak çaste para se të bënte këtë deklaratë u hodhën disa molotovë. “Protestë paqësore e opozitës, ka formën e një marshimi revoltë proteste në rrugët e Tiranës për të shprehur zemërimin popullor ndaj kreut të organizatës kriminale dhe anëtarëve të saj. Për t’i thënë Edi Ramës, jo vetëm një Lubi , por 30 Lubi të largosh, do jesh ti objektivi kryesor i revoltës. Do të jetë vetëm Edi Rama, deri në largimi i tij. Është Edi Rama gjeneratori i të gjitha të këqijave të lidhura me regjimin e tij. Largimi i njërit apo tjetrit, janë vetëm përpjekje të dështuara për të ruajtur lëkurën e tij”, tha Berisha.

19:02 Nga Kryeministria drejt Policisë së Shtetit, nis marshimi i protestuesve të PD

Nga Kryeministria protestuesit e PD kanë nisur të marshojnë drejt Policisë Së Shtetit. Protesta prihet nga Sali Berisha dhe eksponentët e tjerë të tjerë të PD. Protesta e sotme kombëtare nuk ka pasur fjalime, por me thirrje me megafonë.

18:34 Protesta e PD para Kryeministrisë, Berisha i drejtohet bulevardit ku e presin mbështetësit demokratë

Sali Berisha ka dalë nga selia blu duke iu drejtuar bulevardit për të Kryeministria, aty ku është pikëtakimi me protestuesit. Berisha është ndjekur nga mbështetës, por edhe nga eksponentë të tjerë të PD. Kjo protestë e sotmja, është menduar të zhvillohet pa fjalime, ndryshe nga sa ka ndodhur në protestat e mëparshme kombëtare.

13:22 “Sigurisht që do të ketë revoltë”, çfarë paralajmëron Berisha për protestën e sotme pa fjalime: Kryengritja jonë…

Kreu i Demokratëve Sali Berisha ka folur për protestën e sotme përpara Kryeministrisë, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjete sociale. Berisha u shpreh se do të ketë revoltë, teksa shtoi se kryengritja paqësore e tyre do njohë dimensione të reja.

11:39 Protestë pa fjalime/ Opozita tregon “muskujt” në shesh, zbulohen skenarët e revoltës së demokratëve

Demokratët kanë mbledhur forcat për të protestuar sërish sot poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama. Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, raporton se protesta e pestë kombëtare e opozitës nuk do të ketë fjalime, por demokratët do flasin më shumë me akte.

10:12 Protesta e PD-së përpara Kryeministrisë, policia: Nuk marrim përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit

Policia e Shtetit ka dhënë një njoftim zyrtar për protestën që do të zhvillojë sot përpara Kryeministrisë Partia Demokratike. Sipas bluve, nisur nga incidenteve të dhunshme të ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, Policia e Tiranës nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit. Ndër të tjera shton se ka marrë masa masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në kryeqytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB