Rrëfim tronditës i basketbollistit të famshëm amerikan.

Dy herë kampion i NBA-së, ish-lojtari i Los Angeles Lakers, Lamar Odom, ka folur hapur për luftën e tij me varësinë nga droga. Pak ditë më parë, Odom u largua nga qendra “iRely Recovery” në Los Angeles, ku përfundoi një program rehabilitimi njëmujor, pasi u arrestua për drejtim mjeti nën ndikimin e drogës. Fatkeqësisht, kjo ishte vetëm një episod tjetër në betejën e tij të gjatë me varësinë, për të cilën ai foli hapur në një intervistë me Tracy McGrady dhe Vince Carter në emisionin e njohur “The Cousins”. “Po flitni me një të varur të vërtetë. Unë marr kokainë dhe nuk ndihem fajtor për asgjë,” pranoi Odom.

Ai theksoi se nuk kishte prekur drogën gjatë sezonit të NBA-së. “Nuk përdora drogë ndërsa luaja, por e bëra gjatë verës. Do të kishte qenë çmenduri të merrja kokainë dhe të luaja në të njëjtën kohë. Sezonet e mija verore ishin të pabesueshme, plot me kokainë. Mbaja gjithçka nën kontroll, por kur ke mendjen e një të varuri, mendon vetëm se si ta mashtrosh sistemin. Kështu bëra, organizova festa me kokainë.”

Odom është i bindur se do të ishte anëtar i Sallës së Famës sot, po të mos kishte rënë në kthetrat e veseve. “Le të jemi realistë: në mes të sezonit xhiroja një reality show me ish-gruan time Khloe Kardashian, luaja basketboll dhe fitova çmimin për lojtarin më të mirë të gjashtë të vitit 2011, gjithçka njëkohësisht. E dija që kisha motivimin dhe karakterin. Por kur bëhet fjalë për trashëgiminë time po, droga e dëmtoi seriozisht. Plotësisht,” pranon ai.

Trauma e fëmijërisë

Odom është i bindur se traumat që përjetoi si fëmijë dhe varësia e tij nga droga janë të lidhura thellë. “Gjithçka filloi me marihuanën. Shumë njerëz nuk e trashëgojnë varësinë gjenetikisht, por babai im ishte i varur nga heroina. Unë fillova të pija duhan kur isha 14 apo 15 vjeç,” thotë ai, duke shtuar:

“Thjesht gjithçka shembet kur humb nënën tënde, ajo ishte mikesha ime më e mirë. Mbaj mend që kur isha 10 vjeç i kisha thënë se do të luaja në NBA dhe do t’i blija një shtëpi të madhe. Dy vjet më vonë, ajo u shua përgjithmonë.”

Historia e jetës

Historia e trazuar e këtij basketbollisti kontrovers është e denjë për skenar filmi hollyvudian. Ai lindi në jug të Queensit. Babai i tij ishte i varur nga heroina dhe nëna e tij vdiq nga kanceri kur ai ishte vetëm 12 vjeç, kështu që u rrit nga gjyshja e tij. Në Kolegjin Rhode Island tregoi potencial të jashtëzakonshëm, dhe në vitin 1999 Los Angeles Clippers e zgjodhi duke i dhënë numrin 4. Që në sezonin e parë, dha sinjale të qarta se do të linte gjurmë në ligën më të fortë të botës, mesatarisht 16.8 pikë dhe 4.2 asistime për ndeshje.

Për shkak të sjelljes problematike jashtë fushës, nuk qëndroi gjatë me Clippers. Në vitin 2001 u pezullua për përdorim marijuane. Pasi kontrata i skadoi, u transferua në Miami dhe pas një sezoni të shkëlqyer kaloi te Lakers, ku la gjurmë të pashlyeshme. Luajti për skuadrën e famshme nga viti 2004 deri në 2011, fitoi dy tituj kampionësh dhe në sezonin e fundit atje u emërua lojtari i gjashtë më i mirë i ligës. Kjo u pasua nga episode më pak të suksesshme me Dallas Mavericks dhe sërish me LA Clippers, klubi i fundit në karrierën e tij në NBA.

Jeta private e stuhishme

Disa vite më parë, Odom botoi autobiografinë e tij me titull “Nga errësira në dritë”, në të cilën zbuloi se kishte shpërdoruar pothuajse të gjitha fitimet e karrierës së tij për drogë dhe aventura. “Nëse do të duhej të llogarisja sa kam shpenzuar për drogë, shifra do të arrinte rreth 100,000,000 dollarë,” pranoi ai.

Ish-lojtari i Lakers ishte në prag të vdekjes në vitin 2015, pasi u gjet i droguar dhe pa ndjenja në një shtëpi publike në Nevada. Qëndroi në koma për disa ditë, mes jetës dhe vdekjes. Në vitin 2018 zbuloi se gjatë asaj periudhe kishte pësuar 12 goditje në tru dhe gjashtë ataqe në zemër. “E gjitha më ndodhi ndërsa isha në koma. Mjekët më thonë se jam një mrekulli në këmbë,” rrëfeu Odom. E gjithë bota mbeti në shok. Tifozët e basketbollit nuk mund ta besonin se si e kishte shkatërruar veten dikush me aq talent.

Ai ofroi edhe shpjegimin e tij. “E trashëgova nga babai im edhe ai ishte i varur. Mora gjenin e tij. Gjërat u përkeqësuan kur vdiq djali im gjashtëmuajsh. Ishte momenti më i errët i jetës sime dhe u fundosa plotësisht.” Odom zbuloi edhe herën e parë që provoi kokainën. “Ndodhi gjatë një nate me disa gra. Pas asaj nate, të gjithë demonët e mi u çliruan. U bëra mjeshtër i fshehjes së varësisë nga gruaja ime Khloe Kardashian që ju desh shumë kohë ta zbulonte. Nuk do që gruaja jote ta dijë se po merr kokainë dhe po fle me gra të tjera.”

Ia doli të shpëtojë jetën, por jo martesën me yllin e reality show-ve Khloe Kardashian. Jeta e tij dashurie ishte gjithnjë e stuhishme. “Kam pasur marrëdhënie me gjashtë gra të ndryshme në javë, çdo herë pa mbrojtje. Kjo më detyroi të paguaj për disa aborte. Kisha nevojë për ato gra ishin një rrugëdalje. Nuk mund të kthehej shtëpi vetëm,” zbuloi Odom.

Në një farë pike, ai pranoi hapur se ishte i varur edhe nga seksi. “Kur nuk merrja me basketboll dhe gra, shikoja pornografi. Kam pasur marrëdhënie me të paktën 2.000 gra. Seksi e thelloi edhe varësinë nga droga, m’u duk si mundësi për të dyfishuar kënaqësinë.”

Vdekja e djalit

Odom përjetoi një tragjedi familjare nga e cila nuk shëroi kurrë plotësisht. Djali i tij Jayden vdiq gjysmë viti pas lindjes. Basketbollisti pranoi në autobiografi se nuk për tre vite me rradhë, nuk e besonte. Më pas zbuloi me hollësi çfarë ndodhi atë ditë fatale, më 29 qershor 2006, kur gruaja e tij e atëhershme Lisa Morales hyri në dhomë për të parë djalin e tyre.

“Ajo vuri re që foshnja ishte shtrirë me fytyrë poshtë, gjë që e çuditërisht, por duke e parë të qetë, nuk deshi ta shqetësonte dhe u kthye në kuzhinë te nëna e saj. Sapo nëna e pyeti si ishte Jayden, Lisa filloi të panikosej dhe vrapoi drejt dhomës së tij.”

“Fytyra e tij ishte blu e errët, nuk po merrte frymë. Lisa bërtiti histerikisht dhe thirri menjëherë 911. Ambulanca dhe zjarrfikëset mbëritën brenda minutave dhe e çuan foshnjën me urgjencë në spital,” shkroi Lamar, i cili ndodhej atë moment në Manhattan.

Lisa e thirri për t’i treguar se diçka i kishte ndodhur Jayden-it. Odom mblodhi menjëherë valixhet dhe u nis për në spital. E gjeti Lisën të mbështjellë me batanije në një dhomë private. Shpejt, mjekja u tha se djali i tyre kishte vdekur vdekja kishte ndodhur në djep. “Pesëmbëdhjetë minuta pasi mbërrita, mjekja hyri, i kapi dorën Lisës dhe me lot në sy i tha: ‘Më vjen shumë keq, edhe unë si nënë e di çfarë do të thotë të humbasësh një fëmijë kështu’,” shkroi basketbollisti. “Ishte hera e parë që dëgjoja atë term. Jaden kishte vdekur nga sindroma e vdekjes së papritur të foshnjës. Nuk kishte kuptim. Si mund të vdiste fëmija ynë në djep? Nuk mund ta besoja. Isha i shtangur, i mpirë, i ngrirë në vend,” zbuloi Odom, duke shtuar:

“Nuk qava atë moment. As të nesërmen. Nuk qava për Jayden-in prej tre vitesh. Mendoja se nëse do të qaja, do ta bëja të vërtetë. Nuk qava si të mos e pranoja se ai nuk ishte më.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB