Kandidati i LVV për president? Flet për herë të parë Murat Jashari: Nuk kam ambicie politike, është barrë e madhe… Nuk kanë asnjë qëllim për tu bërë pjesë e garës për postin e presidentit në Kosovë! Anëtarë të familjes së heroit Adem Jashari, kanë hedhur poshtë mundësinë e përmendur më herët nga ministri i jashtëm, Glauk Konjufca, i cili deklaroi se, nëse do të vinte një emër për president nga kjo familje, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.
Kosova duhet të nxitojë për zgjedhjen e kreut të shtetit deri në 4 mars në mënyrë që të shmangë shkuarjen në zgjedhje të tjera të parakohshme, teksa presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i përfundon mandati më 4 prill.
Edhe pse Osmani nuk duket ta ketë mbështetjen e partive parlamentare për një mandat tjetër, deri tani nuk ishin përmendur emra të tjerë të mundshëm për president. Duke folur pas një takimi me kryediplomaten e Shqipërisë, Elisa Spiropali, Konjufca tha se mes partive politike deri tani ka konsensus vetëm për një president që do të vinte nga familja Jashari. Por, Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, pohoi për VOX Kosova se nuk ka interesi apo qëllim për t’u bërë president i Kosovës.
“Ua kam bërë të qartë partive politike se cilat janë arsyet pse unë nuk e bëj, sepse mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe”, ishte komenti i tij. Qëndrimin e tij e konfirmoi më vonë edhe Bekim Jashari, ish-kryetari komunës së Skenderajt, i cili i tha Radios Europa e Lirë se nuk i heq “kësaj deklarate asnjë pikë apo presje”.
Më herët Konjufca nuk iu përgjigj pyetjes nëse nga familja Jashari kishte pasur dëshirë për këtë çështje, ndërsa pak ditë më parë kryeministri Albin Kurti, ndaloi në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari, e foli për mediat se kishte biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.
Top Channel