Ish-diplomati serb Nebojsa Vujoviç ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës për të qëndruar në pushtet dhe për të shmangur sanksionet amerikane për korrupsion, manipulim zgjedhjesh dhe mosrespektim të sundimit të ligjit.
Duke komentuar vizitën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Duric, në Washington, Vujovic tha se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka informuar shefin e diplomacisë serbe për një marrëveshje sekrete dhe detyruese për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Duric është ftuar në Washington që Rubio, në emër të qeverisë amerikane dhe presidentit Donald Trump, ta njohë me një marrëveshje sekrete detyruese për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ky ishte qëllimi kryesor i ftesës së tij. Serbia çdo ditë, hap pas hapi, po i afrohet formalizimit dhe njohjes zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”, tha Vujovic.
Sipas tij, njohja e Kosovës nga Serbia do të ishte një sukses i madh për Trumpin, ndërsa Vuçiç do të fitonte kohë për të vazhduar qëndrimin në pushtet.
“Me nënshkrimin e një marrëveshjeje detyruese për njohjen e Kosovës, Trump do të arrinte një sukses të madh dhe njëkohësisht do t’i jepte një goditje Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Nga ana tjetër, kjo do t’i konvenonte Vuçiçit, sepse do të fitonte kohë për të qëndruar në pushtet. Ai do të merrte pëlqim të heshtur për mbylljen e mediave të pavarura, ndërsa do të shtyhej vendosja e sanksioneve amerikane për korrupsion, manipulim zgjedhjesh dhe shkelje të sundimit të ligjit sipas Ligjit për Demokracinë në Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Kongresi amerikan”, theksoi ish-diplomati.
Vujoviç shtoi se vizita e Duriçit në Washington përfaqëson një “luftë të dëshpëruar të regjimit në Beograd për të shpëtuar veten”.
“Qëllimi i regjimit të Vuçiçit është të mbetet në pushtet deri në organizimin e EXPO-s dhe të përfitojë sërish nga keqpërdorimi i madh i fondeve. Për të qëndruar në pushtet, Vuçiç duhet të pranojë propozimin amerikan për njohjen e Kosovës së pavarur. Gjithçka që ka bërë deri më tani ka qenë çmontimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ndërsa hapat e fundit për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës tregojnë se ai tashmë e ka braktisur Kosovën. Ai mendon se çështja e Kosovës nuk është më prioritet për askënd në Serbi dhe se ka ardhur koha që ajo t’u dorëzohet përfundimisht amerikanëve për të ruajtur pushtetin”, deklaroi ish diplomati.
Top Channel