Me 2.144 minuti në 28 ndeshje të kampionatit, Kupës së Italisë dhe Superkupës, Luka Modric është një element i palëvizshëm te Milani i Massimiliano Allegrit dhe pavarësisht moshës, ka treguar se mund të japë akoma shumë, brenda dhe jashtë fushe.

I ardhur në verën e kaluar me parametra zero nga Reali i Madridit, ishin të shumtë ata që ishin skeptikë për gjendjen fizike të kroatit.

Por dyshimet u larguan shumë shpejt dhe tani Djalli dëshiron t’i gëzohet kampionit të tij të paktën edhe për 1 vit tjetër. Luka Modric ka nënshkruar me Milanin një kontratë 1-vjeçare, me kuqezinjtë që parashikojnë opsionin edhe për sezonin e ardhshëm. Një klauzolë e tillë mund të aktivizohet ekskluzivisht nga futbollisti dhe në Milanello kanë nisur të bëjnë lëvizjet për të bindur Modric që të qëndrojë në skuadër duke nisur nga trajneri e deri te shokët e ekipit dhe stafi.

Luka Modric ende nuk i ka larguar rezervat e tij, por ka thënë disa herë që gjendet shumë mirë në Milano. Sipas zërave më të fundit, kroati do të duhet të marrë një vendim përfundimtar në periudhën mes fundit të kampionatit dhe fillimit të Botërorit 2026 që do të jetë edicioni i pestë për të.

Në zgjedhjen përfundimtare do të ndikojë shumë edhe gjendja fizike dhe motivimet. Por kualifikimi për në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm mund të jetë një faktor vendimtar, një arsye më shumë që Milani nuk mund të dështojë në arritjen e objektivit.

Shkurt, këtë vit në Milanello ka pasur shumë punë bindëse, në fillim për rinovimin e Mike Maignan dhe tani me Modric me tifozët e Milanit që urojnë që përfundimi të jetë i njëjtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB