Pas pak më shumë se 1 viti, Shqipëria do të presë një event shumë të rëndësishëm futbollistik sic është kampionati Evropian i U21. Në kuadër të përgatitjeve për këtë kompeticion, një delegacion i UEFA ka mbërritur në vendin tonë për një vizitë zyrtare inspektuese të stadiumeve ku do të zhvillohen ndeshje të këtij kompeticioni.

Zyrtarët e qeverisë së futbollit evropian të shoqëruar nga stafi organizativ i FSHF e kanë nisur vizitën e tyre nga Shkodra teksa kanë kryer një inspektim të detajuar në stadiumin ‘Loro Boriçi’ dhe në të gjithë ambientet e tij. Delegacioni, i përbërë nga rreth 20 ekspertë dhe zyrtarë, është ndarë në grupe pune për të verifikuar nga afër çdo komponent organizativ dhe infrastrukturor.

Ky delegacion do të qëndrojë në Shqipëri për 4 ditë dhe do të inspektojë edhe stadiumet e tjerë të Euro U21 të vendit tonë;  ‘Elbasan Arena’, ‘Air Albania’ dhe ‘Arena e Demave’

‘Kjo është vizita e dytë që zhvillohet në kuadër të Kampionatit Europian U-21 2027. Këtë herë delegacioni ka qenë më i zgjeruar, me përfaqësues nga UEFA dhe FSHF. Kemi qenë rreth 20 persona, të ndarë në tre grupe të ndryshme, që kanë inspektuar pjesë të ndryshëm të stadiumit “Loro Boriçi”. Kemi identifikuar nevojat që duhet të plotësohen deri në organizimin e kampionatit në vitin 2027. Në përgjithësi, vizita ka qenë shumë e suksesshme. Ky inspektim zgjat katër ditë dhe do të vizitohen të katërt stadiumet që do të mirëpresin Kampionatin Evropian’– tha Evia Kumria, përgjegjësja e projektit Euro U21 të 2027 në FSHF

Kjo fazë inspektimi përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përgatitjeve, duke konfirmuar angazhimin e FSHF-së për të përmbushur çdo standard organizativ dhe infrastrukturor, në funksion të një Europiani U-21 të organizuar me profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me kërkesat e UEFA-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB