Leigh-Anne Pinnock kërkon ndalim të rrjeteve sociale për nën 16 vjeç! “Toksiciteti është bërë i pamëshirshëm”

25/02/2026 09:02

Këngëtarja e Little Mix, Leigh-Anne Pinnock, ka mbështetur publikisht thirrjet për ndalimin e rrjeteve sociale për të rinjtë nën moshën 16 vjeç, mes një krize në rritje të bullizmit dhe abuzimit online.

Gjatë një interviste në BBC Breakfast, 34-vjeçarja foli për përvojën e saj personale me “toksicitetin e fortë” në internet, duke theksuar se situata po përkeqësohet.

“Është bërë më e përhapur. Njerëzit duken sikur janë ‘për gjak’. Fshihen pas ekranit dhe mendojnë se mund të thonë çfarë të duan”-u shpreh ajo.

Pas formimit të grupit në vitin 2011, anëtaret u përballën me valë urrejtjeje në rrjete sociale, veçanërisht ish-anëtarja Jesy Nelson.

Në dokumentarin e saj të BBC-së, “Jesy Nelson: Odd One Out”, Jesy rrëfeu se bullizmi i vazhdueshëm online e çoi deri në një tentativë vetëvrasjeje në vitin 2013, përpara se të largohej nga grupi në vitin 2020.

Leigh-Anne theksoi se përvoja e asaj periudhe e ka bindur plotësisht:

“Po, mendoj se duhet të ndalohet për nën 16 vjeç”.

Ajo shtoi se pushimet nga rrjetet sociale dhe rrethimi me njerëz që të mbështesin janë thelbësore për shëndetin mendor.

“Vendose telefonin poshtë. Mund të jetë shumë intensive dhe e frikshme, por duhet të besosh në veten tënde”-tha ajo.

Muajin e kaluar, Dhoma e Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar votoi pro një amendamenti për ndalimin e rrjeteve sociale për nën 16 vjeç, me 261 vota pro dhe 150 kundër, ndërsa qeveria po shqyrton ende çështjen.

Deklarata e Pinnock vjen në një moment kur debati për sigurinë e të rinjve online po intensifikohet, duke rikthyer në qendër të vëmendjes ndikimin real dhe shpesh të rrezikshëm që mund të ketë bullizmi digjital në jetën e adoleshentëve.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB