Manchester United nuk ka të ndalur me Michael Carrick, mposht Evertonin, i afrohet vendit të tretë(VIDEO)
Casemiro është i vendosur të vazhdojë karrierën në Evropë pasi të largohet nga Manchester United këtë verë.
34-vjeçari u ka bërë të ditur personave të afërt se beson ende se mund të konkurrojë në nivele të larta në kontinent.
Muajin e kaluar, Manchester United njoftoi se mesfushori brazilian do të largohet në fund të kontratës së tij, e cila skadon në qershor. Ai është lidhur menjëherë me një transferim të mundshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Casemiro dhe familja e tij kanë kaluar pushime në Florida dhe kanë udhëtuar drejt Majemit gjatë pushimit 13-ditor të United mes ndeshjeve së fundmi. Bashkëshortja e tij, Ana, ishte gjithashtu në Las Vegas në fillim të këtij muaji. Megjithatë, braziliani ruan ende një shtëpi familjare në Madrid dhe ideja për të vijuar karrierën në Evropë e tërheq më shumë.
Burime pranë lojtarit kanë përmendur Italinë si një destinacion të mundshëm, sidomos pas transferimit të ish-shokut të tij te Real Madridi, Luka Modric, te Milani gjatë verës. Modric, i cili mbushi 40 vjeç në shtator, firmosi një kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.
Botërori i ardhshëm mund të jetë turneu i fundit i madh i Casemiros me Brazilin, pasi ai u rikthye në përfaqësuese vitin e kaluar nga ish-trajneri i tij te Reali, Carlo Ancelotti.
Këtë sezon, Casemiro ka qenë titullar në 24 nga 29 ndeshjet e Manchester United. Në pesë takimet ku nuk ka nisur nga minuta e parë, dy herë ka qenë i pezulluar dhe një herë është lënë pushim. Ai ka kontribuar gjithashtu me pesë gola, katër prej të cilëve nga goditjet standarde.
Që prej rikthimit në formacion në fazën me eliminim direkt të Europa League në shkurtin e kaluar, mesfushori ka qenë një nga pikat kyçe të mesfushës së United.
Në vitin 2024 dhe gjatë merkatos së dimrit të kaluar, drejtuesit e klubit kërkuan blerës nga Liga Saudite, por paga e tij prej 350 mijë paundësh në javë u konsiderua pengesë serioze.
Sipas burimeve pranë lojtarit, Casemiro u ndje “i nënvlerësuar” nga komentet e bashkëpronarit Sir Jim Ratcliffe marsin e kaluar, kur ai e përfshiu mes pesë lojtarëve që regjimi i ri i Ineos i kishte “trashëguar”.
Manchester United e transferoi Casemiron nga Real Madridi në gusht 2022 për 70 milionë paund. Ai shënoi golin e parë në fitoren 2-0 ndaj Newcastle në finalen e Kupës së Ligës në vitin 2023.
Megjithatë, braziliani u la jashtë formacionit në finalen e FA Cup 2024 kundër Manchester City dhe u tërhoq nga lista e ndeshjes menjëherë pas mbërritjes në Wembley.
Top Channel