“13 vite burg për Rezart Taçin”, SPAK kërkon dënimin me akuzën për pastrim parash në favor të mafies italiane

24/02/2026 14:29

SPAK kërkoi dënimin me 13 vite burgim të Rezart Taçit, një biznesmen nafte i dyshuar se tentoi të pastrojë  paratë e Cosa Nostras bashkë me kunatin e  tij dhe truprojën, të dënuar më herët nga Gjykata e Posaçme. 

Në fjalën e tij prokurori Klodian Braho jo vetëm kërkoi dënimin e të kërkuarit prej 2021 nën akuzë për pastrim parash dhe grup kriminal, por gjithashtu kërkoi konfiskimin e përmbi 18 milionë eurove  të depozituara në një llogari të hapur në Tiranë dhe që do të shpërndaheshin në llogari të tjera në Hong Kong dhe Singapor.

Në operacionin e pastrimit të parave të mafias italiane të hetuar nga prokurori Braho, rezultuan të implikuar edhe Francesco Zummo një i hetuar në Itali për favorizimin e Cosa Nostras si edhe  Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli.

Nga gjithë kjo skemë dyshohet se biznesmeni shqiptar do të fitonte 3 milionë euro. Pastrimi i parave u tentua të kryhej përmes një banke të nivelit të dytë, tek e cila u depozituan 18 milionë eurot të legjitimuara sikur do të investoheshin në fushën e hidrokarbureve.

SPAK deklaroi gjatë proceseve se dispononte si provë veç të tjerash edhe një draft marrëveshje rreth shumës së 18 milionë euro që pretendohej se do jepej si hua me një normë interesi prej 5 përqind.

Transaksionet dhe veprimet kriminale u kryen pjesërisht dhe me ndërhyrjen e SPAK pati fillimisht bllokim të vlerës monetare që është konfiskuar edhe më herët me vendim gjyqësor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB