Mrekullitë e Arbërisë në UNESCO, tingujt epikë të lahutës, magjia e polifonisë, energjia e K’cimit të Tropojës, hijeshia e xhubletës, madhështia e qyteteve të gurit dhe tradita e lashtë e transhumancës sollën në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit shpirtin e trashëgimisë sonë kombëtare.
Nga vallet veriore ku burra e gra rrethojnë ajrin me kërcimet e tyre ku jeta festohet si një fitore te vallet jugore ku burrat duken si male në lëvizje, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore udhëtoi në rrënjët e identitetit tonë nëpërmjet thesareve shqiptare të shpallura pasuri e njerëzimit nga UNESCO.
“U bë një miksim midis valleve epike të veriut dhe valleve festive të jugut, sikurse vallja e Devollit që pret të bëhet pjesë e UNESCO-s”, u shpreh, Sokol Marsi, drejtor i Ansamblit Kombëtar.
“Jam krenar që përfaqësova hijeshitë e vendit tim, ato që janë pjesë e UNESCO-s, por edhe ato që duhet të bëhen pjesë e UNESCO-s”, tha Flavio Xhaferri, solist në Ansamblin Kombëtar.
“Duhet t’i jepet më shumë prioritet Shqipërisë, kemi shumë elementë që janë më të vjetra se në shumë vende të tjera të Europës”, tha Reji Berisha, solist në Ansamblin Kombëtar.
Ansamblit iu bashkuan edhe mjeshtrit e folklorit, përfshirë lahutarin Pjetër Matusha, që thekoi nevojën për mbrojtjen e artit të të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës.
“Mali me mal është marrë vesh me lahutën. Lahuta është përdorur edhe për vaj, me të është interpretuar Eposi i Kreshnikëve, mbi 400 mijë vargje. Tani duhet të na mbështesin që të vazhdojmë të ruajmë këtë instrument kaq të lashtë”, u shpreh lahutari, Pjetër Matusha.
Kjo mbrëmje ishte edhe një thirrje për të përfshirë në UNESCO elementë të tjerë të trashëgimisë sonë kulturore, përfshirë ninullën, plisin, vallen e Devollit, Fyejtë e Gramshit.
“Këto kanë ardhur që nga lashtësia, janë pjesë e krijimtarisë popullore, duke filluar nga baladat, ninullat dhe gradualisht te këngët polifonike, vallet dyshe, vallet treshe, në fillim pa orkestër, vetëm më një lodër dhe përpunohen më vonë. Të gjitha janë pjesë e identitetit tonë, e rrënjëve tona, kanë ardhur të gjitha nga populli”, tha Marsi.
Top Channel