“Lakuriq” është ekspozita me të cilën Oltsen Gripshi eksploron qenien njerëzore, duke e vendosur në një kontekst shoqëror, politik dhe historik.
Artisti rrëfen zanafillën e njeriut dhe më pas rrugëton në të gjitha përmasat e tij.
Për Gripshin, lëkura është kufiri mes racionales dhe iracionales, midis të brendshmes së njeriut dhe realitetit të jashtëm.
“Në rastin konkret, lëkura shndërrohet në hartën e jetës së jetuar. Rrëfen karcinomën e gjirit të sime ëme dhe më pas rrugëtoj në disa përmasa të tjera që interpretojnë individin e së tashmes”, u shpreh artisti Oltsen Gripshi.
Me një koncept bashkëkohor, Gripshi përpiqet ta shohë njeriun me sytë e të ardhmes.
“Kohët e fundit është folur shpesh për zëvendësimin e njeriut nga Inteligjenca Artificiale. Në këtë prizëm, kam hamendësuar që pas x vitesh, qenia njerëzore nuk do të ekzistojë, por duhet të jetë prania e saj, jam munduar ta shpërbëj trupin njerëzor dhe ta rikonceptoj në këtë hapësirë muzeore”, u shpreh Gripshi.
Dasma që nuk u bë kurrë, incesti dhe dhuna në familje, ekspozita bën bashkë copëza jete që përcjelljen mesazhe të forta sociale, ashtu sikurse instalacioni monumental, që autori e titullon ‘membrana e përmbajtjes’.
“Në qendër të saj qëndron një sënduk mbi 100-vjeçar, nga brendia e të cilit fillojnë dhe dalin këto këmishat e gjumit. Është i përbërë nga 100 këmisha gjumi femërore për të përçuar mesazhin e brishtësisë femërore, që sërish ka mbajtur në suazën e një dhunë që asnjëherë nuk rrëfehet përtej mureve të shtëpisë, por që duhet të tregohet dhe të kthehet në një mesazh universal”, u shpreh Gripshi.
“Lakuriq” është një rrugëtim intim dhe njëkohësisht universal, ku artisti hyn në dialog me publikun. Kjo ekspozitë, e kuruar nga Massimo Scaringella, do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Artit bashkëkohor në ambientet e Piramidës deri më 15 mars.
Top Channel