Një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale duket se tregon Lionel Messin teksa mbahet nga shoku i skuadrës, Luis Suárez, pas humbjes së rëndë të Inter Miami në MLS ndaj Los Angeles FC.

Inter Miami e nisi sezonin 2026 të Major League Soccer me një transfertë në “LA Memorial Coliseum”, por mbrëmja rezultoi zhgënjyese për skuadrën e Messit, që u mposht 3-0. Golat për vendasit u realizuan nga David Martínez, Denis Bouanga dhe Nathan Ordaz, ndërsa në fushë spikati edhe ish-ylli i Tottenham Hotspur, Son Heung-min.

Pas përfundimit të ndeshjes, pamjet tregojnë një Messi të acaruar teksa i drejtohet arbitrave. Sipas gazetarit Giovanni Guerrero nga STV Deportes, argjentinasi ishte i pakënaqur me gjykimin. Në video shihet momenti kur Suárez ndërhyn për ta qetësuar dhe për ta larguar nga zyrtarët e ndeshjes. Më pas, Messi u pa duke dalë nga zona e dhomave të arbitrave dhe duke iu drejtuar dhomës së zhveshjes së ekipit të tij.

Trajneri i Inter Miami, Javier Mascherano, pranoi pas ndeshjes se skuadra ka shumë për të përmirësuar.

“E dimë qartë që kemi shumë për të bërë. Duhet të ndërtojmë mbi gjërat pozitive, të korrigjojmë gabimet dhe të vazhdojmë përpara,” u shpreh ai.

Inter Miami do të rikthehet në aksion fundjavën e ardhshme, kur do të përballet me Orlando City në “Inter&Co Stadium”.

Ndërkohë, e ardhmja e Messit vazhdon të jetë temë diskutimi, edhe pse kontrata e tij me Inter Miami është e vlefshme deri në vitin 2028. Së fundmi është raportuar se klubi i fëmijërisë së tij, Newell’s Old Boys, dëshiron ta rikthejë në Argjentinë në vitin 2027.

Presidenti i klubit, Juan Manuel Medina, deklaroi për “TN” se po punohet që Messi të veshë fanellën e Newell’s në gjysmën e parë të vitit 2027. Kujtojmë se argjentinasi u formua fillimisht në akademinë e Newell’s, përpara se të transferohej te FC Barcelona, ku u rrit në “La Masia” dhe u shndërrua në një nga futbollistët më të mëdhenj në histori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB