Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë histori. Kapiteni i Al-Nassr realizoi dy gola në fitoren e radhës së skuadrës së tij, duke e çuar në 965 numrin total të golave në karrierën profesionale – një shifër që e afron gjithnjë e më shumë me kuotën simbolike të 1000 golave.

Pas vërshëllimës finale, lojtarët e Al-Nassr festuan mbi fushë së bashku me tifozët, por vëmendja ishte e gjitha te Ronaldo. Portugezi u shfaq i veshur me një “bisht”, tunikën tradicionale të Gjirit që simbolizon respekt, vlerësim dhe status të lartë, e rezervuar zakonisht për personalitete të rëndësishme, sheikë dhe figura me ndikim.

Gesti mori një domethënie të veçantë pasi vjen në prag të Ditës së Themelimit të Arabia Saudite, që përkujtohet më 22 shkurt dhe shënon krijimin e Shtetit të Parë Saudit në vitin 1727. Një moment kulturor që evokon edhe imazhin e Lionel Messi, i cili veshi të njëjtën veshje tradicionale kur ngriti Kupën e Botës në Katar në vitin 2022.

Brenda dhe jashtë fushe, Ronaldo mbetet protagonist absolut: me gola vendimtarë, rekorde që thyen njëri pas tjetrit dhe me një lidhje gjithnjë e më të fortë me kulturën dhe tifozët sauditë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB