Teuta ka arritur një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Tiranën me shifrat 0-1 në stadiumin “Selman Stërmasi”, në takimin e vlefshëm për javën e 25-të të Kategoria Superiore.

Pjesa e parë ishte më e balancuar, me vendasit që u shfaqën më kërkues në sulm. Rasti më i mirë për bardheblutë erdhi nga Tabeku, por pa arritur të zhbllokojnë rezultatin.

Në fraksionin e dytë ndryshoi panorama e lojës. Skuadra e drejtuar nga trajneri Enkelejd Dobi mori kontrollin e takimit dhe shtoi presionin drejt portës kundërshtare. Maçolli goditi traversën, më pas topi u ndal në shtyllë, ndërsa Arifi shpërdoroi një mundësi të artë, duke paralajmëruar golin që do të vinte.

Vendimi erdhi në minutën e 87-të, kur Maçolli u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë avantazhin dhe tri pikët Teutës.

Me këtë humbje, Tirana rikthehet në zonën e ftohtë të renditjes, aty ku ka kaluar pjesën më të madhe të sezonit. Në krahun tjetër, Teuta afrohet ndjeshëm me vendin e katërt, duke qenë tashmë vetëm tre pikë larg objektivit.

Rezultati:

Tirana 0-1 Teuta

87’ (p) Maçolli

Top Channel

DIGITALB DIGITALB