Cristiano Ronaldo ka deklaruar se mbetet i përkushtuar ndaj Al-Nassr, pavarësisht polemikave të fundit që e panë të mungonte në dy ndeshje të rëndësishme të kampionatit saudit në fillim të këtij muaji.

Ylli portugez, 41 vjeç, realizoi dy gola në fitoren e thellë 4-0 ndaj Al-Hazem të shtunën, duke e çuar në 21 numrin e golave sezonalë.

Megjithatë, Ronaldo kishte nxitur spekulime për të ardhmen e tij pasi refuzoi të luante në përballjet kundër Al-Riyadh dhe Al-Ittihad. Vendimi i tij erdhi si shenjë pakënaqësie ndaj mungesës së përforcimeve gjatë merkatos së dimrit dhe politikave të Public Investment Fund.

Sulmuesi u rikthye në fushë në sfidën ndaj Al-Fateh fundjavën e kaluar dhe, pas paraqitjes së fundit, theksoi se nuk ka ndërmend të largohet.

“Jam shumë i lumtur. Siç e kam thënë shumë herë, unë i përkas Arabisë Saudite. Është një vend që më ka pritur shumë mirë mua, familjen dhe miqtë e mi. Jam i lumtur këtu dhe dua të vazhdoj këtu,” u shpreh pesë herë fituesi i Topit të Artë.

Ai shtoi se objektivi i skuadrës mbetet titulli në Saudi Pro League: “Detyra jonë është të fitojmë dhe të ushtrojmë presion ndaj rivalëve. Jemi në rrugën e duhur. Kthehemi të fortë, me besim. Ndeshje pas ndeshjeje.”

Drejtuesit e kampionatit reaguan pas mungesave të Ronaldos, duke theksuar në një deklaratë se “asnjë individ nuk përcakton vendime përtej klubit të tij”.

Pakënaqësia e sulmuesit lidhej edhe me faktin se Haydeer Abdulkareem ishte afrimi i vetëm i mes-sezonit për Al-Nassr, pavarësisht kërkesave të trajnerit Jorge Jesus për përforcime të tjera.

Ndërkohë, rivalët për titull, Al-Hilal, gjithashtu në pronësi të PIF, siguruan shërbimet e ish-shokut të Ronaldos te Real Madrid, Karim Benzema. Klubi saudit afroi gjithashtu ish-mbrojtësin e Arsenal, Pablo Marí, si dhe investoi 26 milionë paund për secilin prej Kader Meite dhe Saimon Bouabre.

Sipas raportimeve, Ronaldo ishte i irrituar edhe për shkak të vonesave në pagesat e pagave brenda klubit, çka shtoi tensionet në fillim të muajit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB