Putin nënshkruan ligin e ri, forcon kontrollin e inteligjencës së brendshme mbi internetin rus Shtetet e Bashkuara kanë evakuuar qindra ushtarë nga disa baza ushtarake në Lindjen e Mesme, me gjasë në pritje të një sulmi të mundshëm ndaj Republikës Islamike dhe një kundërpërgjigjeje të regjimit Iranian.
Duke cituar zyrtarë të Pentagonit, që kanë preferuar të ruajnë anonimatin, The New York Times flet për evakuime urgjente në bazën ajrore Al Udeid Air Base si dhe instalimet ushtarake në Bahrain, ku ndodhet Flota e Pestë e Shteteve të Bashkuara. Raportohet gjithashtu se aktualisht nuk ka më trupa amerikane në bazat në Irak, Siri, Kuvajt, Arabi Saudite, Jordani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
E njëjta media e njohur shkruan se pamje të reja satelitore dhe të dhënat për gjurmimin e fluturimeve tregojnë se një bazë në Jordaninë qendrore është shndërruar në një qendër kyçe planifikimi për sulme të mundshme amerikane ndaj Iranit. Pamjet e regjistruara të premten tregojnë më shumë se 60 avionë bombardues në bazën e njohur si Muëaffaq Salti, që është sa trefishi i numrit të zakonshëm të avionëve që ndodhen aty.
Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve, edhe të paktën 68 avionë transporti kanë zbarkuar në këtë bazë që nga e diela. Ushtarët kanë instaluar edhe sisteme të reja të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur bazën nga raketat që mund të lëshojë Irani.
Ndryshimet në bazën në Jordani janë pjesë e një grumbullimi të madh të forcave amerikane në rajon, që po zhvillohet në një kohë negociatash për programin bërthamor të Iranit dhe mes paralajmërimeve të presidentit Trump për ndërhyrje ushtarake.
Top Channel