Bllokohet rruga drejt juglindjes/ Top Channel siguron pamjet, si u gërrye shtrati i lumit Shkumbin pak ditë më parë

21/02/2026 11:40

Situata është problematike në aksin Librazhd–Pogradec, ku Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur ndalimin e qarkullimit për mjetet me tonazh të rëndë dhe autobusët, pas përkeqësimit të rrëshqitjes së dheut në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.

Gjatë orëve të fundit shembja ka avancuar, duke rritur rrezikun për qarkullimin në këtë segment. Mjetet e rënda, kamionët dhe autobusët nuk do të lejohen të kalojnë në këtë zonë. Vendimi është marrë në koordinim me Policinë e Shtetit dhe do të jetë në fuqi deri në një njoftim të dytë.

Top Channel ka siguruar pamjet e disa ditëve më parë të gërryerjes masive që ndodhi nga marrja e inerteve nga shtrati i lumit Shkumbin, pikërisht në vendin ku ka ndodhur rrëshqitja dhe shembja e njërës korsi të rrugës.

Ndërkohë, siç raporton korrespondentja e Top Channel në Elbasan Bruna Kërçyku, situata vijon e bëhet më emergjente pasi ura është çarë dhe rrezikon të bjerë.

Në njoftimin e saj zyrtar ARRSH këshillon drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve të përdorin rrugë alternative. Por ndërkohë policia nuk propozon asnjë rrugë alternative në njoftimin e saj pasi nuk ka asnjë rrugë alternative për mjetet e rënda.

Maunet dhe autobusët që lëvizin nga pikat e kalimit kufitar të Kapshticës apo e Qafë Thanës në drejtim të portit të Durrësit nuk kanë asnjë rrugë alternative kalimi. Megjithatë rrëshqitja masive e tokës në Dragostunjë e cila ka marrë gjysmën e rrugës e rrezikon pjesën tjetër e bën të pamundur dhe të rrezikshme lëvizjen e mjeteve të rënda.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB