Pas viteve të fundit të suksesshme të Inter, me dy finale të arritura edhe pse të humbura, Italia nuk ishte mësuar të largohej nga UEFA Champions League që në fund të shkurtit.

Edhe pse investimet në futbollin italian mbeten të kufizuara, sidomos krahasuar me ato të futbollit anglez, klubet e Serie A kishin arritur të kompensonin me organizim taktik dhe eksperiencë europiane.

Vetëm tre sezone më parë, Italia kishte tre skuadra në çerekfinale – Milan, Napoli dhe Inter – ndërsa sot realiteti duket krejt tjetër. Ndeshjet e para të “playoff”-it sollën tri humbje në po aq transferta, me dhjetë gola të pësuar dhe vetëm tre të shënuar nga Juventus, Atalanta dhe Inter.

Humbjet erdhën përballë kundërshtarëve të fortë në terrenet e tyre: Galatasaray në Stamboll, Borussia Dortmund me “murin e verdhë” në stadiumin e saj, si dhe transferta e vështirë në Norvegji ndaj Bodø/Glimt, në fushë sintetike dhe në kushte klimatike të ashpra. Megjithatë, përtej rezultateve negative, shqetësuese kanë qenë edhe paraqitjet, të cilat nuk kanë bindur aspak.

Situata reflektohet edhe në renditjen europiane, ku Italia po humbet terren ndaj Anglisë, Gjermanisë, Portugalisë dhe Spanjës. Shpresat për një vend të pestë në edicionin e ardhshëm të Champions duken thuajse të pamundura. Tashmë objektivi kryesor është përmbysja e rezultateve në ndeshjet e kthimit.

Për Juventusin, misioni duket pothuajse i pamundur: nevojiten tre gola diferencë për të çuar sfidën të paktën në shtesë. E njëjta kërkesë vlen edhe për Interin dhe Atalantën. Skuadra nga Bergamo ka treguar ndër vite se di të surprizojë, ndërsa Interi duhet të ndryshojë menjëherë qasje. Kalimi nga dominimi në kampionat te vështirësitë në Champions ka qenë i dhimbshëm, sidomos pas dëmtimeve të Lautaro Martínez dhe Piotr Zieliński, dy elementë kyç të formacionit.

Pas shortit, pritshmëritë ishin krejt të tjera: flitej për tre skuadra italiane në fazën e 1/8-ave dhe për skenarë optimistë. Sot realiteti është shumë më i ashpër. Brenda një jave, gabimet nuk do të lejohen më. Ose kualifikimi, ose eliminimi – për të shmangur një dalje të shpejtë dhe zhgënjyese nga Europa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB