Fyerje raciste ndaj Kelly në rrjetet sociale: I pranoj kritikat, por këtë jo…
Pas mbrëmjes së hidhur ditën e Shën Valentinit që përkoi me humbjen 3-2 ndaj Interit dhe polemikat për episodin Bastoni-Kalulu, ajo në Turqi për Juventusin u transformua nga ëndërr në makth. Bardhezinjtë reaguan pas avantazhit të parë të Galatasaray duke e përmbysur atë me dy golat e Koopmeiners, por u rrëzuan në momentin më të mirë të tyre kjo edhe për shkak të një pjese të dytë katastrofike.
Tani Juventusi pas 8 ditësh do të kërkojnë mrekullinë për të përmbysur një verdikt që duket se është i shkruar
Mungesë personaliteti. Në mbrëmjen e vështirë të RAMS Park, në gjysmë orëshin e parë, Juventus shfaqi shumë personalitet teksa arriti të rikuperojë ndeshjen. Rritja e Cambiasos në lojë dhe lëvizja McKennie si qendërsulmues e bëjnë Spallettin të shpresojë, por pas dëmtimit të Bremer, skuadra e humbi krejtësisht dhe hyri në një errësirë të thellë siç e pranoi edhe vetë trajneri toskan. Pak personalitet, pak gjeometri dhe një rezultat që dukej i paralajmëruar edhe pse jo me një diferencë kaq të madhe që tani i komplikon planet bardhezi. Nëse në San Siro, Yildiz dhe të tjerët morën duartrokitje sepse ditën të reagonin ndaj episodeve, ndërsa këtë të martë, Juventusi bëri jo 1 por 3 hapa prapa sidomos në aspektin karakterial dhe në mënyrë thuajse të pashpjegueshme. Sigurisht që ndëshkimi naiv me karton të kuq i Cabal i prishi planet, por ishte e vëshirë të mendohej ajo çfarë ndodhi. Juventusi u shkri si bora në diell duke ndjerë kundërgoditjen dhe duke e humbur toruan. Dhe kjo së bashku me inferioritetin numerik, i dha mundësinë Galatasaray që ishte vendosur shumë mirë në fushë në pjesën e dytë, që të shpërthejë dhe të hedhë një hap drejt 1/8 të finaleve
Pjekuria…Nëse është e vërtetë që kartoni i kuq ndryshoi ecurinë e ndeshjes, po kaq e vërtetë është edhe fakti se Juventus rreshti së besuari dhe së luftuari. Edhe një herë, në fushë evropiane, bardhezinjtë nuk kanë treguar se e kanë pjekurinë që duhet për të menaxhuar disa situata e sidomos nuk ia dolën të reagojnë ndaj të papriturës, diçka që nuk mund t’ia lejosh vetes nëse vesh fanelën e Juventusit. Vitet e arta të 2 finaleve në 3 vjet në Ligën e Kampioneve janë më larg se kurrë, realiteti flet për një skuadër që pas një shkundje të parë të Spallettit, nuk është parë e pjekur në momentet vendimtare. Mjafton të shihni ndeshjet me Cagliarin dhe Lecce(1 pikë në 2 ndeshje), por edhe sfidën me Lazion. Ndaj kësaj të fundit, nuk munguan rastet dhe loja e prodhuar, por mungoi ai agresiviteti për të shënuar, për të bërë diferencën. Mungojnë liderët në nivel ndërkombëtar që shpesh bëjnë diferencën sic është Modric me Milanin. Tani duhet përqendruar sidomos në kampionat për të mos e humbur trenin e Champions League, por duke mbajtur të ndezur shpresën për një përmbysje të madhe edhe pse precedentët nuk janë në favor të torinezëve
Precedentët. Përpara Juventusit në mbrëmjen e së martës, vetëm 3 klube italiane kanë pësuar të paktën 5 gola në ndeshjet e para në raundet me eliminim direkt në kompeticionet evropiane. Lazio në 2000(5-2 ndaj Valencias), Inter në 2011(2-5 ndaj Schalke) dhe Roma në 2 raste në 2018(5-2 ndaj Liverpool) dhe në 2021(6-2 ndaj Manchester United). Rezultati final? Asnjë prej tyre nuk ia ka dalë të realizojë përmbysje epike. Ajo në Allianz Stadium mund të jetë hera e parë në mënyrë absolute. Një stadium që ka përjetuar përmbysje epike si ajo e epokës Cristiano Ronaldo në 2019 kundër Atletico Madrid. Spalletti shpreson që të ketë një stadium të flaktë për të ushqyer një sipërmarrje që sot për sot duket thuajse e pamundur.
Top Channel