Jeta mes internimit dhe artit/ Lekë Tasi nderohet për rezistencë, 96-vjeçari kujton internimin dhe vuajtjet e familjes

18/02/2026 20:04

 “Historia e përndjekjes sime fillon kur unë isha gjashtë muaj foshnjë’, u shpreh piktori dhe muzikanti Lekë Tasi.

Në 1975 piktori, muzikanti dhe shkrimtari Lekë Tasi u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjës, ku qëndroi deri në rrëzimin e diktaturës 35 vite më parë. Sot është 96 vjeç, por nuk heq nga kujtesa asnjë çast nga vuajtet që ka përjetuar e gjithë familja.

I ati, avokati Koço Tasi, njëkohësisht anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës emigroi për 17 vjet në Greqi pas Revolucionit të qershorit. Me kthimin në atdhe, u arrestua dhe dënua në gjyqin special në vitin 1945. Edhe xhaxhai Akile Tasi, me karrierë të ngjeshur politike në kohën e luftës, vdiq në burgjet e diktaturës.

“Unë jam në moshë të madhe, kam merakun e raportit të shoqërisë me familjen time, një pikë e pashteruar, madje fajësuese ndaj familjes sime. Babai im u dënua me burgim të përjetshëm që iu kthye në 20 vite burgim, u dërgua në kamp dhe më pas në Burrel”, u shpreh Lekë Tasi.

Në një ceremoni të mbajtur në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në kuadër të Ditës së rrëzimit të shtatores së diktatorit, dhe ish-i përndjekuri politik Lekë Koço Tasi u nderua me titull nderi, që iu dorëzua nga nënkryetarja e Bashkisë Divjakë, bazuar në vendimin e Këshillit Bashkiak.

“Me motivacionin: ‘Për rezistencë dhe dinjitet njerëzor të ish-të përndjekurit, si person aktiv në dokumentimin e së shkuarës’”, u shpreh nënkryetarja e Bashkisë Divjakë Silvana Kekumi.

Në ambientet e Autoritetit të Dosjeve, u çel edhe ekspozita “Historitë e patreguara të Lushnjës” që solli në vëmendje përmes fotografive dhe dëshmive një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së vendit – internimet masive në zonën e Myzeqesë.

“Kjo ekspozitë na ndihmon të rishikojmë të shkuarën me sytë tanë sot, si hapësira të vuajtjes, qëndresës dhe mbijetesës”, u shpreh Gentiana Sula, drejtoresha e Autoritet AIDSSH.

Njëkohësisht, u përkujtua 18 shkurti 1991, kur studentët ndërmorën një ndër aktet më të guximshme të ndërgjegjes kombëtare, kërkuan heqjen e emrit të diktatorit nga universitet dhe hynë në grevë, një akt sakrifice që u pasoi me rrëzimin e statujës në shesh në 20 shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB