Victor Osimhen sheh që t’i kryqëzohen rrugët me Italinë dhe ndeshja me Juventusin në playoff-in e Ligës së Kampioneve ka sjellë kujtime dhe prapaskena, siç është ajo e merkatos kur nigeriani mund të kishte shkuar te Juventusi përpara transferimit të tij në Turqi te Galatasaray.

‘Po, tani mund të isha në dy klube të tjerë të rëndësishëm në Serie A-tregon Victor Osimhen për të përditshmen La Gazzetta Dello Sport’-përpara se të niste tratativave me Galatasaray, Giuntoli më telefonoi për të më marrë te Juventusi. Kam folur me disa persona në klub, më shfaqën interesin, por e dija se De Laurentiis nuk do të më lejonte kurrë të largohesha. Sidoqoftë, interesi i Juventusit ishte i madh dhe kur të kërkon një klub si Juventusi, pavarësisht gjithçkaje duhet të ulesh e të dëgjosh ofertën’

Nëse do të ishte realizuar ky transferim, Osimhen do të kishte sërish Spallettin si trajner.

‘Thuhej se grindeshim, por nuk ishte e vërtetë-shtoi  Osimhen-e vlerësoj shumë. Ka fjetur për muaj të tërë në qendrën sportive të Napolit, duke punuar natë e ditë për të na bindur se mund të fitonim titullin. Solli në skuadër Kim, Anguissa, Kvaratskhelia dhe mua në gjendjen më optimale fizike duke triumfuar me një klub që nuk fitonte prej dekadash. Pretendonte shumë, por edhe na jepte shumë. Disa trajnerë të rrisin në fillim si person e më pas si futbollist’.

Por te Napoli, jo gjithçka shkoi siç shpresonte, sidomos mënyra sesi përfundoi ajo aventurë.

‘Më vjen keq për tifozët, edhe pse unë nuk kam folur për atë çfarë ka ndodhur-tregon Osimhen-pas publikimit të asaj videoje në TikTok nga Napoli, diçka u prish përfundimisht. Çdokush mund të gabojë një penallti, çdokush mund të bëhet objekt shakash për këtë. Napoli e bëri këtë vetëm me mua, e për më tepër me aludime. Kam qenë viktimë e fyerjeve raciste dhe mora vendimin tim; doja të largohesha. I fshiva fotot me fanelën e Napolit në Instagram dhe shfrytëzuan mundësinë për të më kundërvënë tifozët. Dhe të mendosh që vajza ime për mua është më shumë napoletane se nigeriane’.

Osimhen foli edhe për kontratën.

‘Kishim një marrëveshje zotërinjsh sipas së cilës në atë verë do të largohesha, por pala tjetër nuk e mbajti plotësisht premtimin-tregon Osimhen-tentuan të më dërgonin gjithandej, më trajtonin si qen. Shko këtu, shko atje, bëj këtë, bëj atë…Jam përpjekur shumë për të bërë karrierë, nuk mund të pranoja atë lloj trajtimi. Nuk jam buratin’

Më pas te Napoli erdhi Conte që donte ta mbante në skuadër.

‘Sigurisht, edhe pse vërdallë u tha se nuk më donte në skuadër-zbulon sulmuesi nigerian-seriozisht? Cili trajner në atë moment nuk do më donte? Sapo erdhi, Conte më thirri në zyrën e tij dhe më tha se ishte në dijeni të situatës dhe se pavarësisht gjithçkaje ai donte që unë të qëndroja. I shpjegova se do të më pëlqente të punoja me të, por e kisha marrë vendimin tim; nuk doja të punoja në një vend ku nuk ndihesha e lumtur’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB