Girona i dhuron kreun e La Ligës Realit të Madridit. Në Montilivi, Girona fitoi derbin katalanas me Barcelonën të cilën e mundi 2-1 me skuadrën e Hansi Flick që zbret në vendin e dytë me 2 pikë më pak se Los Blancos.

Pjesa e parë u mbyll me barazimin 0-0 me Barcelonën që pati shumë mundësi në dispozicion për të shënuar, ndërkohë që edhe Girona u shfaq e rrezikshme disa herë. Shansin e artë për të zhbllokuar rezultatin Barcelona e pati në minutat shtesë kur Dani Olmo fitoi një 11-metërsh. Te pika e bardhë shkoi Lamine Yamal por 18 vjeçari gaboi pasi gjuajtja e tij u përplas në shtyllë dhe me barazimin pa gola skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes.

Rezultati u zhbllokua në pjesën e dytë me Barcelonën që mori avantazhin me Pau Cubarsi që shënoi me një gjuajtje me kokë me skuadrën e Flick që arriti kuotën e 100 golave në këtë sezon. Por Girona iu kundërpërgjigj shumë shpejt teksa 120 sekonda më vonë shënoi golin e barazimit në 1-1 me Lemar. Girona ishte gjithnjë e rrezikshme në daljet e saj dhe në një nga këto dalje ajo shënoi edhe golin e dytë por që u anulua për pozicion jashtë loje. Më pas Roca rrezikoi sërish por Joan Garcia shpëtoi portën blaugrana.

Në minutën e 87 Girona përmbysi gjithçka teksa shënoi me Beltran me një gjuajtje në hyrje të zonës duke e çuar rezultatin 2-1 dhe duke vënë sërish në dukje brishtësinë në mbrojtje të Barcelonës. Të besuarit e Flick kërkuan të barazonin rezultatin por nuk mundi të shfrytëzojnë sulmet e tyre. në minutat shtesë Girona mbeti me 10 futbollistë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Roca për një faull ndaj Yamal, por në fund rezultati mbeti 2-1 për Gironën që ngjitet në kuotën e 29 pikëve, në vendin e 12, ndërsa Barcelona që pësoi humbjen e dytë radhazi pas asaj me Atletico në Kupën e Mbretit mbetet me 58 pikë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB