Top Albania Radio mbush sot plot 28 vite. 28 vite dashuri, duke dhënë gjithmonë më të mirën për të gjithë dëgjuesit e saj besnikë.

Në këtë ditë kaq të rëndësishme, ata që kanë qenë pjesë e Top Albania Radios që prej fillimeve të saj, kanë kujtuar me nostalgji hapat e parë të karrierës së tyre në radio, që më pas u bë si një katapultë për gjëra edhe më të mëdha.

I ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, ka qenë gjithashtu edhe Ledion Liço, moderator dhe njëkohësisht drejtor i TAR.

Nga viti 2020, ti je dhe drejtor i Top Albania Radios, si ka qenë ky rol për ty?

Ledion Liço: Të menaxhuarit për mua ka ardhur krejt natyrshëm, në momentin kur u shkëputa gati 5 vite nga televizioni. Koha i fshin gjërat që kanë kaluar sepse jetojmë me të tashmen dhe në atë kohë kur rrija larg ekranit, por isha gjithmonë pas tij, filloi të më pëlqente menaxhimi.

Dhe menaxhimi më vjen natyrshëm. Gjëja më sfiduese për mua nuk janë pjesët burokratike, sepse ato vijnë me pozicionin, gjëja më problematike për mua është fakti që si natyrë demokratike, gjithëpërfshirëse, jo të qenurit i ashpër, unë do dua të jem bashkë me të gjithë. Kjo më ka vënë në disa raste në pozita që nuk do doja. Gabimi që bën njeriu ndonjëherë është që i mendon njerëzit si vetja. Unë e konsideroj veten të zotë për të ndarë shapin nga sheqeri, e di kur është punë, e di kur është shoqëri. Preferoj të mos bërtas, shumë rrallë e humbas toruan.

‘What’s next’ nga Top Albania radio?

Ledion Liço: Nuk e di. Dhe kjo është e bukura. Nëse ne do të dinim të ardhmen, çfarë kuptimi do kishte. “What’s Next?” doli krejt natyrshëm. Kur unë erdha në radio, radio ishte tek Piramida. Brendi ishte aty, por kishte filluar me kalimin e kohëve të lihej mbas dore, fokusi ka qenë në Top Channel dhe në DigitAlb. Për mua ishte si një dashnore e lënë pas dore se doli një e re.

Gjatë këtyre viteve kemi provuar çdo gjë, ato që ishin bërë dhe ato që nuk ishin bërë, me dëshirën dhe besimin që radio mund ta bëjë këtë gjë. E vetmja gjë që dua është që pasioni i tyre që kontribuojnë në radio të jetë ky që është. I falënderoj dëgjuesit që për 28 vite e njohin Top Albanian në forma të ndryshme dhe e duan. Para 4 vitesh, bëmë një sondazh, brezi i ri nuk e njihte radion si radio, por nëpërmjet webit dhe rrjeteve sociale. Aty kuptuam që nëse nuk lëviz me kohën, të zënë rrjetat e merimangës. Brendi është i njëjtë, por format se si shkon tek publiku është e shumëanshme. Nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja, por e di që do ta presim të gjithë me sytë me zemra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB