LeBron James nuk luajti në ndeshjen e Los Angeles Lakers kundër San Antonio Spurs për shkak të një dëmtimi, i komunikuar nga klubi si artrit në këmbën e majtë.

Por mungesa e tij ka një domethënie më të madhe: për herë të parë pas 21 vjetësh, LeBron nuk do të jetë i kualifikuar për asnjë nga çmimet vjetore të NBA-së.

Kjo ishte ndeshja e 18-të që ai humbi këtë sezon dhe, duke nisur kampionatin vetëm më 18 nëntor, James nuk do të arrijë minimumin prej 65 ndeshjesh të kërkuara për të qenë i pranueshëm për çmimet e fundit të sezonit.

Me këtë, ndërpritet seria historike e 41-vjeçarit, i cili ishte zgjedhur për një nga ekipet All-NBA në 21 sezonet radhazi, një rekord absolut i ligës. Që nga viti 2005, ai është përzgjedhur 13 herë në ekipin e parë, 4 herë në të dytin dhe 4 herë në të tretin. Më parë, rekordi mbahej nga Kobe Bryant me 15 selektime radhazi në ekipet All-NBA.

Në këtë ndeshje ndaj Spurs, Lakers pësoi humbjen dhe aktualisht ndodhen në vendin e pestë në Konferencën Perëndimore, me një bilanc prej 32 fitore dhe 21 humbjesh. Mungesa e LeBron James tashmë ka bërë që skuadra të përballet me sfida të reja, ndërsa sezoni hyn në fazën vendimtare. Kjo shënon një fund të një epoke për ‘yllin’ amerikan, duke mbyllur një kapitull të pabesueshëm në historinë e NBA-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB