E ardhmja e Pavard në pikëpyetje/ Olympique Marseille nuk pritet ta blejë, rikthimi te Interi duket i pamundur

11/02/2026 12:30

As rikthimi në Francë nuk ka mjaftuar që Benjamin Pavard të gjejë formën e tij më të mirë. Pas një fillimi pozitiv sezoni, mbrojtësi francez ka përfunduar në qendër të kritikave nga tifozët e Olympique Marseille për paraqitje nën pritshmëri dhe gabime të shumta në fushë.

Rënia e formës është reflektuar edhe në minutazhin e tij, i cili është zvogëluar ndjeshëm javët e fundit. Me largimin e Roberto De Zerbit dhe ardhjen e një trajneri të ri, Pavard mund të shpresojë për një rilindje, por duket se problemi nuk lidhet vetëm me stolin teknik.

Sipas raportimeve, bëhet gjithnjë e më e pamundur që Marseille të investojë 15 milionë euro në fund të sezonit për ta blerë përfundimisht kartonin e tij. Gjatë merkatos së janarit, drejtuesit francezë kishin kontaktuar Interin për të diskutuar çmimin e blerjes, por morën një refuzim të prerë nga klubi zikaltër.

Kështu, rriten gjasat që në qershor Pavard të rikthehet në Milano. Megjithatë, as tek Interi e ardhmja e tij nuk duket e sigurt. Drejtuesit zikaltër, me miratimin e Chivu, e dërguan verën e kaluar në Marseille dhe e zëvendësuan me Manuel Akanji, i cili sot konsiderohet një shtyllë e mbrojtjes.

Në horizont shfaqen pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e francezit. Një pistë e mundshme mbetet ajo e Neom në Arabinë Saudite, ku trajner është Christophe Galtier, i cili e kishte promovuar Pavard në kohën e Lille. Edhe pse verën e kaluar lojtari refuzoi ofertat nga Arabia Saudite për të qëndruar në Europë dhe për të ruajtur shanset për Botërorin, në qershor situata mund të ndryshojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB