Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thirrur për të mërkurën, 11 shkurt, seancën për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Vendimi i presidentes vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Procesi i certifikimit u zvarrit për shkak të nevojës për rinumërim të të gjitha votave të këtij procesi zgjedhor, meqë pati dyshime për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.

Dhjetëra persona janë dërguar në paraburgim, qindra të tjerë janë intervistuar nën dyshimet për manipulim të votave, dhe proceset hetimore e gjyqësore pritet të vazhdojnë. Votat për parti nuk janë cenuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB