Angelina Jolie e mrekullueshme në premierën e filmit “Couture”, shfaqet me një fustan trasparent në Paris

10/02/2026 09:27

Angelina Jolie u shfaq me një fustan mahnitës dhe të shndritshëm në premierën e filmit “Couture” në Paris.

Aktorja u fotografua në tapetin e kuq, duke zgjedhur një krijim të Givenchy, një fustan gjysmë transparent, i zbukuruar me xixa, të cilat i linin pjesët e trupit të saj të ekspozuara. Fustani kishte një përfundim asimetrik, si dhe thekë me rruaza. Veshja kompletohej me taka të zeza dhe bizhuteri Garatti, konkretisht një unazë me një diamant të gjelbër 15 karatësh dhe vathë të ngjashëm.

Aktorja luan në film rolin e Maxine Walker, një regjisore e cila diagnostikohet me kancer në gji ndërsa punonte për një shtëpi të madhe mode gjatë Javës së Modës në Paris. Filmi gjithashtu ndjek udhëtimin e një modeleje dhe një grimieri ndërsa ato përpiqen të vendosen në botën e modës. Filmi është shumë i fokusuar te moda, me trailerin që paraqet skena të pasarelave dhe shkallët ikonike të shtëpisë Chanel në Rue Cambon, të cilat të çojnë në apartamentin privat të Coco Chanel. Regjisorja e filmit, Alice Vinokur, kishte akses të plotë në studiot, punëtoritë dhe hapësirat e Chanel, diçka që rrallë u jepet prodhimeve filmike.

Angelina Jolie ka gjithashtu një lidhje personale me botën e modës, pasi në vitin 2023 ajo themeloi markën Atelier Jolie, e cila vepron si një kolektiv artistësh nga e gjithë bota dhe, siç ka deklaruar ajo, synon qëndrueshmërinë dhe sfidimin e konsumit të tepërt.

Ajo ka folur publikisht për përvojën e saj me kancerin e gjirit në të kaluarën. Në vitin 2013, ajo iu nënshtrua një mastektomie të dyfishtë parandaluese dhe, dy vjet më vonë, iu hoqën vezoret dhe tubat fallopiane pasi vlerësimet mjekësore treguan një rrezik të lartë për zhvillimin e kancerit. Nëna e saj, Marceline Bertrand, kishte vdekur nga kanceri i gjirit dhe i vezoreve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB