“180 vite burg, e paarsyeshme”, ish-hetuesja e Gjykatës: Kërkesa e tepruar, po i burgosin përjetë

10/02/2026 16:54

Ish-hetuesja e Gjykatës për Ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp, reagoi ndaj kërkesës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë për të dënuar me 45 vite burg secilin, Hashim Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së.

Tromp e cilësoi një kërkesë të tillë si të tepruar, e cila e kapërcen barrën e provave. Sipas saj, një dënim i tillë përbën de facto burgim të përjetshëm, duke marrë parasysh moshën e të akuzuarve.

Tromp vlerëson se në raste kur provat janë të pamjaftueshme, prokuroria shpesh tenton ta kompensojë këtë mungesë me kërkesa jashtëzakonisht të ashpra për dënime.

Ajo solli si shembull rastin e Tihomir Bllashkiçit, një ish-oficer i ushtrisë kroate në Bosnje, për të cilin Prokuroria e Tribunalit për Ish-Jugosllavinë kishte kërkuar 45 vjet burg.

Megjithatë, në shkallën e apelit, ky dënim u reduktua ndjeshëm në vetëm 9 vjet, çka sipas saj përbën një rast klasik të një kërkese të ekzagjeruar dënimi nga ana e organit të akuzës.

Sipas Tromp, rasti Bllashkiç ofron krahasimin më të qartë historik për të kuptuar situatën aktuale në Gjykatën Speciale, sepse tregon se kërkesat e tepruara të prokurorisë mund të rrëzohen nga instancat më të larta gjyqësore.

Ajo theksoi se vendimi përfundimtar ende nuk është marrë dhe se mbrojtja nuk i ka paraqitur akoma argumentet e saj, ndaj kërkesa e prokurorisë nuk duhet parë si vendim i kryer.

Megjithatë, Tromp paralajmëroi se nëse Dhoma Gjyqësore do ta pranonte një dënim prej 45 vjetësh, kjo do të nënkuptonte se nuk kemi të bëjmë thjesht me zbatim të ligjit, por me një demonstrim force politike apo institucionale.

Ajo shtoi se përgjegjësia kryesore në këtë rast do t’i binte Dhomës së Apelit, e cila duhet të testojë nëse vendimi është në përputhje me standardet e drejtësisë ndërkombëtare.

Duke krahasuar këtë rast me dënimet për gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë, Tromp shtoi se vetëm figura si Ratko Mladiç dhe Radovan Karaxhiç janë dënuar me burgim të përjetshëm, dhe ata vetëm për gjenocid.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB