“Pse nuk vjen këtu?”, Berisha i përgjigjet protestuesve të Rrjollit: Ju mbështesim, por gjithçka duhet bazuar mbi dokumente të sakta

09/02/2026 13:36

Kryetari i PD-së, Sali Berisha iu përgjigj sot edhe banorëve të Rrjollit që po protestojnë kundër ndërtimit të një kompleksi turistik me argumentin se është tjetërsuar pronësia e tokës.

Nga foltorja e PD-së, Berisha tha se deputetët demokratë po e ndjekin çështjen dhe se ai mbështet çdo protestë të banorëve.

“Ne kërkojmë dhe insistojmë respektin e plotë të të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të tjera të qytetarëve. I them atij qytetari që nuk është e vërtetë që PD nuk është interesuar. Ai mund të mos e dijë, e kjo është normale. Por deputetët të PD-së kanë qenë aty dhe janë marrë me problemin dhe merren”, deklaroi lideri i opozitës.

Megjithatë ai shtoi se gjithçka duhet të bazohet mbi dokumentet.

“Natyrisht ne mbështesim protestën pa diskutim, kur problemet janë gjithçka bazuar mbi dokumente të sakta, zyrtare, të vërteta. Çka unë nuk i diskutoj. Apriori nuk hedh poshtë asnjë pretendim të atyre protestuesve, ndaj dhe ne po shohim, po e ndjekim. A duhet bazohet mbi dokumente, duhet. Sepse nuk kam asnjë lloj dijenie, është blerë, nuk është blerë. Po ne po e ndjekim këtë zhvillim. Por ne jemi kategorikisht kundër prekjes qoftë edhe të një metër katrorë tokë të pronarëve privatë”, u shpreh kryedemokrati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB